Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka inspektuar në mbrëmje një nga katër qendrat shëndetësore të hapura 24/7 për urgjencat pediatrike në kryeqytet.
“Di që në qendrat shëndetësore ka patur një fluks të madh edhe në orët e pasdites. Ne pa ju shqetësuar e dimë që është një fluks i madh pune, e para dua që, tju falenderoj dhe e dyta që ti bëjmë një lajmërim prindërve që në katër qendra shëndetësore 24 orëshe për shërbime pediatrike në Tiranë. Ky shërbim është shumë esencial dhe nuk e kemi ndaluar përgjatë dy vitesh të pandemisë”, tha Manastirliu.
Manastirliu ka bërë me dije se në 4 qendrat shëndetësore 24 orëshe janë shtuar masat në kuadër të rritjes së rasteve të variantit Omicron si edhe atyre të gripit stinor që po qarkullon aktualisht. “Nga ana tjetër është thelbësor që duke qenë se është shtuar përpos rasteve dhe variantit të ri Omircon dhe variantit të ri të gripit dhe virozave stinore, ndaj kemi vendosur që të shtojmë masat në katër qendra shëndetësore Tiranë, që janë pikërisht të hapura për shërbimin pediatrik 24 orë pikërisht këtu në zonën e ish-bllokut, në zonën e Oxhakut, në Laprakë dhe në Kombinat”, tha Manastirliu. Katër qendra shëndetësore në Tiranë janë në shërbim 24 orë për urgjencat pediatrike, për të lehtësuar fluksin në spitalin pediatrik gjatë orëve të natës.
Shërbimi 24/7 për fëmijët në: Qendrën shëndetësore nr.10 tek zona e oxhakut; Qendrën shëndetësore nr. 8 në sheshin Willson pranë ish-bllokut;
Qendrën shëndetësore nr. 7 në Laprakë; Qendrën shëndetësore nr. 6 Kombinat.