Europa ka regjistruar mbi 100 milionë raste me koronavirus, më shumë se një e treta e të gjithë rasteve në të gjithë botën, që nga fillimi i pandemisë. Kontinenti është bërë edhe një herë epiqendra e pandemisë gjatë muajve të fundit dhe po lufton me një rritje të rasteve për shkak të variantit Omicron.

Rajoni europian, i cili përfshin 52 vende dhe territore nga brigjet e Atlantikut deri në Azerbajxhan dhe Rusi, ka regjistruar 100,074,753 raste të Covid-19 gjatë dy viteve, sipas një raporti të AFP. Kjo është e barabartë me më shumë se një të tretën e 288,279,803 rasteve të deklaruara në mbarë botën që nga shpërthimi i pandemisë në fund të vitit 2019 në Kinë.

Më shumë se 4.9 milionë raste janë raportuar vetëm gjatë një jave. Vetëm Franca ka regjistruar më shumë se një milion raste të reja gjatë javës së kaluar, që është e barabartë me 10 për qind të të gjitha rasteve pozitive që nga fillimi i pandemisë.

Megjithatë, numri i viktimave për shkak të Covid-in në Europë ka shënuar rënie. Europa regjistroi mesatarisht 3,413 viktima nga koronavirusi në ditë gjatë javës së kaluar, një rënie prej 7% në krahasim me një javë më parë.

Por Europa ka numrin më të lartë të të vaksinuarve se mesatarja në të gjithë botën. 65% e europianëve janë pjesërisht të vaksinuar, ndërsa 61 përqind janë vaksinuar plotësisht — më shumë se 58 dhe 49 përqind respektivisht në mbarë botën, sipas “Our World in Data”.

Duke marrë parasysh vdekshmërinë për shkak të Covid-19, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se numri i përgjithshëm i vdekjeve në mbarë botën mund të jetë dy deri në tre herë më i lartë se sa është raportuar.