Në Shqipëri, prokuroria e Tiranës njoftoi sot se ka arrestuar të paktën 4 persona në kuadër të hetimit të nisur për rrjedhjen e të dhënave zyrtare mbi pagat e mbi 690 mijë qytetarëve, të cilat u shpërndanë përmes aplikacionit Whatsapp, pak javë më parë.

Mes personave të arrestuar dy janë punonjës së IT në Drejtorinë e përgjithshme të Tatimeve., Eni Qirjako dhe Andi Agaraj. Sipas Prokurorisë, ka qenë Qirjako e cila ka nisur punë në korrik të vitit 2020, dhe që vetëm pak muaj më pas rezulton t’i ketë kaluar herë pas here të dhënat kolegut të saj Agaraj. Ky i fundit mësohet t’i ketë kërkuar të dhënat nën justifikimin e një studimi.

Por sipas hetimeve rezulton se punonjësi i IT, i ka shitur me pjesë të dhënat e grumbulluara, në këmbim të shumave modeste prej 20 mijë lekësh, për çdo herë që ja jepte ato dy personave të tjerë, që rezultojnë të jenë përmbarues, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi, që të dy të arrestuar.

Prokurorja e Tiranës Elizabeta Imeraj, deklaroi gjatë një konference për shtyp, se deri në këtë fazë të hetimit është zbuluar mekanizmi i rrjedhjes të së dhënave, dhe se po punohet për të kuptuar se cili ka qenë qëllimi i publikimit të tyre.

Hetimet janë shtrirë dhe në institucionet e tjera, duke qenë se kanë qarkulluar dhe të dhënat me target e automjeteve, apo më parë dhe të dhënat personale që qarkulluan si një listë e përdorur nga strukturat e Partisë socialiste në prag të zgjedhjeve të 25 prillit./ VOA