Shkolla 9-vjeçare “Iliria” në Fushë-Krujë është një tjetër objekt arsimor ku po punohet me ritëm të lartë për rindërtimin e saj, një projekt i cili po zbatohet nga UNDP Albania me një investim prej 1 milion Euro të Qeverisë Kroate si pjesë e Fondit të Mbështetjes për Rimëkëmbjen e Arsimit pas tërmetit shkatërrues të 26 Nëntorit, 2019.
Shkolla po rindërtohet tërësisht nga e para me standardet më të larta ndërkombëtare të sigurisë sipas “Eurocode 8” dhe parashikohet të jetë gati vitin e ardhshëm shkollor, ku 131 nxënës, 13 mësues, 24 fëmijë dhe 1 edukatore do të gëzojnë një godinë më të sigurtë se më përpara; me klasa moderne; me palestër e terren sportiv; me sistem ngrohjeje e ftohjeje; me akses për fëmijët me aftësi të kufizuara; dhomë mjeku e psikologu; me mjedise më të përshtatshme për aktivitete të ndryshme kulturore etj.
Sekretarja e Parë e Ambasadës Kroate në Tiranë Maja Drmač dhe përfaqësues të UNDP Albania inspektuan nga afër punimet në këtë kantier të rëndësishëm ndërtimi, ku u njohën nga inxhinierët me progresin e deritanishëm.
Gjatë inspektimit, ndër të tjera Znj. Drmač tha se:
“Ky është një investim shumë strategjik i Qeverisë Kroate në Shqipëri. Është një investim për brezin e ardhshëm të Shqipërisë dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Prandaj, ky merr edhe një rëndësi akoma më të veçantë. Ne mezi presim që 150 fëmijët e shkollës 9-vjeçare “Iliria” dhe 13 mësuesit të rikthehen në bankat e shkollës për vitin e ri akademik. Shkolla që po ndërtohet do të jetë me standardet më të mira evropiane: më e madhe, më e sigurtë dhe e pajisur me të gjithat mjetet moderne për mbarëvajtjen e procesit mësimor”.
Ndërkohë, duke shprehur mirënjohjen ndaj Qeverisë Kroate për këtë partneritet të rëndësishëm, përfaqësuesit e UNDP Albania nënvizuan se parimet themelore mbi të cilat UNDP po rindërton janë të “Rindërtojmë Më Mirë” dhe të “Rindërtojmë Së Bashku”. Me këtë investim për të ardhmen, të rinjtë e atij komuniteti do të gëzojnë të njëjtat standarde të larta sikurse në shkollat më të mira evropiane.