“I intereson produkti tregtar para lojës, biznesi para argëtimit”. Kështu shprehet për Armand Dukën, Mehdi Bushati, ish futbollist dhe një nga ish anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili ka punuar disa vite me kreun aktual të FSHF, por edhe ka kandiduar kunder tij në vitin 2002 për President të FSHF.
Mehdi Bushati, që është dhe babai i analistit të njohur Andi Bushati, është shprehur që shumë vite më parë se Armando Duka nuk duhet të kandidonte as për mandatin e tij të katërt, për shkak edhe të skandaleve me trukimet e ndeshjeve. Madje, Bushati nuk rezervon dhe terma të tillë si “Sulltan” etj, për Dukën, për të kujtuar kohën e gjatë të “mbretërimit” në FSHF.
“Pse të mos vijnë të rinjtë dhe në drejtimin e FSHF-së? Do të ishte mirë të kishim të rinj, që kanë një formim bashkëkohor dhe që janë të gatshëm të marrin përgjegjësi edhe në sport. Pra ka gjëra që duhen parë e riparuar, pasi edhe sporti ka nevojë për ndërhyrje në tërësi. Nëse vijohet kështu, atëherë FSHF shndërrohet në Sulltanat. Mendoj që, një njeri që nuk ka në vetvete një anë morale, nuk mundet të bëjë ndryshimin. Vetë ky njeri duhet të mendojë. Por s’ndodh. Pse duhet ta votojmë Dukën? Puna matet me rezultate, çdo gjë matet me rezultate. Kur rezultatet nuk i ke, si mendon se do të kesh në katër vjetët e ardhshme? Çfarë kemi ne sot? Kemi një futboll me dhunë, pa spektatorë, me probleme të mëdha, ku vetë UEFA e rendit në vend të parë në botë për trukime, i çorganizuar etj. Vetë Duka duhej të tërhiqej. Nuk është punuar në mënyrë të drejtë që të ketë konkurrim normal. Unë bëj fajtor dhe vetë shtetin i cili ka qëndruar indiferent karshi këtyre zhvillimeve”, ka theksuar Mehdi Bushati në një intervistë në 2014.

Ai akuzon Dukën për mungesë demokracie dhe prepotencë në drejtimin e FSHF. “I intereson produkti tregtar para lojës, biznesi para argëtimit dhe interesi para vlerës së sportit. Është prepotent, sigurisht. Ka dhe shumë interesa në federatë, por kjo është çështje tjetër. Duka hyn në garë me 10-12 vota përpara. Ka krijuar shoqata apo ku ta di unë. Në FSHF ka mungesë të theksuar demokracie. Si ka mundësi? Edhe presidenti i Amerikës e ka të kufizuar pushtetin, dy mandate dhe largohet, i lë vendin tjetrit, pavarësisht partisë që fiton”, nënvizon Bushati.

Pasojat e vendimmarrjeve të gabuara dhe mungesës së vizionit për drejtimin e FSHF, sipas Bushatit, reflektohen dhe në cilësinë e ulët të kampionatit kombëtar. “Mund të bësh sa të duash kombëtare me lojtarë shqiptarë nga Kosova e trojet e tjera apo dhe nga diaspora, por nuk ndërtohet kurrë një kombëtare e mirë nëse nuk ke një kampionat që prodhon futbollistë. Kemi qenë realisht ndryshe. Bëjmë futboll me lojtarë të mbledhur sa andej-këtej, por nuk mund të bësh një Kombëtare të qëndrueshme e të perspektivës në këtë formë. Por unë e di që për drejtuesit e FSHF-së kjo rrugë është më e lehtë, pasi nuk punohet. Marrim shembull Spanjën, se si punon ajo me moshat. Spanja e madhe doli kampione Evrope e Bote, por mos harrojmë se Spanja ka kampionë që në skuadrat e moshave, prandaj ka sukses. Këtu mungon prodhimi i lojtarëve dhe nuk ke si të kërkosh pastaj cilësi në kampionat apo dhe në ekipin kombëtar. Kemi një kampionat me cilësi shumë të dobët. Si mund të kemi kampionat cilësor kur tre nga klubet historike të futbollit tonë dhe ato që kanë dominuar skenën e futbollit shqiptar janë sot në errësirë. Ka ndodhur në ndonjë vend të botës që të bien nga kategoria njëherësh në pak vite klubet elitare të një vendi? Është në interesin e vendeve që klubet elitare t’i fuqizojë, kurse ne i kemi degdisur, por ka dhe interesime të tilla që këto klube janë shkatërruar. Klube të tilla me eksperiencë 60-70 vjeçare e shohin veten në kushtet e mbijetesës, ndërsa skuadra provincash marrin rolin e liderit në kampionat, diçka jo normale. Kësaj i thonë fshati rrethon qytetin dhe mund të quhet një politikë e Dukës”, deklaron Mehdi Bushati, babai i gazetarit Andi Bushati.