Situata pandemike në Francë paraqitet tejet e vështirë pasi është një nga vendet evropiane me numrin më të madh të rasteve të reja me Covid-19. Mbi 368,000 raste të reja në 24 orët e fundit e vendosin atë në situatë aspak të favorshme. Ministri i shëndetësisë, Olivier Véran e përkufizoi atë që po përjeton vendi i tij si një valë anormale shkaktar i së cilës është varianti Omicron .
“Nuk kishim regjistruar kurrë shifra të tilla që nga fillimi i pandemisë . Është një valë anormale. Kemi 22,000 pacientë të shtruar në spital , nga të cilët 3900 ndodhen në kujdes intensiv. Shifra rekorde të infektimeve me koronavirus janë shënuar edhe në Gjermani dhe Bullgari.
Autoritetet gjermane kanë raportuar 80,430 raste të reja. Nuk ndalen rekordet e errëta edhe në Evropën Juglindore pasi në Bullgari janë shënuar në 24 orët e fundit 7,062 raste të reja pozitive me Covid-19. Numri i të infektuarve është rritur në javët e fundit duke tejkaluar pikun e Tetorit të vitit të kaluar. Ndërkohë Evropa ka regjistruar më shumë se 7 milionë raste me Covid-19 vetëm në javën e parë të 2022.