Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi priti sot në një takim kampionin e botës në peshëngritje, Briken Calja, peshëngritësin Erkand Qerimaj dhe delegacionin shqiptar që mori pjesë në botërorin e Uzbekistanit.
Kushi vlerësoi sportistët për rezultatet, duke theksuar se “është gjithmonë kënaqësi të takosh kampionë si Brikeni dhe Erkandi, të cilët na kanë bërë krenarë me arritjet dhe medaljet në kampionate ndërkombëtare”.
“Këta djem kampionë, por edhe prindër e familjarë të mrekullueshëm, kanë një karrierë plot sakrifica, sfida, fitore dhe medalje, që shërbejnë si frymëzim për shumë të rinj e të reja për të ndjekur rrugën e tyre të suksesit”, tha Kushi.
Ministrja Kushi tha se “Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vazhdojë të qëndrojë pranë sportistëve elitarë, duke pasur bindjen e plotë që së bashku do të kemi edhe shumë fitore dhe suksese të tjera”. Skuadra e peshëngritjes u kthye nga Uzbekistani me rezultatet më të mira në 30 vitet e fundit.