Në raportimin ditor të rasteve, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se nga 7,378 teste të kryera rezultuan të infektuar 2029 qytetarë. Dhe, si duket sipas mjekut infeksionist Gent Stroni po shkojmë drejt pikut të kësaj vale të radhës.
Në një bisedë me Juli Xhokaxhi në “Radari Informativ” në ABC, mjeku Gent Stroni u shpreh optimist se ky mund të jetë piku i fundit. Sa i përket variantit Omicron i cili po e shkakton këtë valë të radhës, mjeku thotë se shkakton një prekshmëri familjare. Pra pasi e merr një nga anëtarët e marrin të gjithë.
Po ashtu, shpjegoi Stroni, Omicron ka një karakteristike që kalon nga faza e parë në fazën e dytë të sëmundjes shumë me shpejt se Delta duke shkaktuar brenda pak ditëve edhe temperaturën e lartë.
Por a ka ndryshim mes simptomave që shkakton ky variant me Deltën dhe gripin që po qarkullon në këtë stinë?
Sipas Gent Stronit, jo.
“Si për Deltën si për Omicron edhe për gripin janë të njëjta…dhimbje fyti, kolla me sekrecione dhe janë njëlloj. Kur bën testin e shpejtë nuk del pozitiv. Duhet bërë PCR”, tha ai.
As në mënyrën e trajtimit nuk duhet të ketë ndryshime, thotë Stroni. Ai rekomandon që të shmanget terapia me antibiotikë që në fazën e parë dhe në vend të saj të bëhet terapia me vitamina.