Nga Artur Ajazi
“Kemi propozuar që sanksionet për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri të bëhen aq të forta sa në Itali. Nëse një politikan kapet duke blerë vota dënohet deri në 21 a 22 vjet burg. Pse dënim kaq i rëndë, sepse vret shpresën. Ndërsa për kryeministrin jo më tepër se dy mandate”. Kështu ka deklaruar Lulzim Basha në një takim me të rinjtë e FRPD-së tij, duke argumentuar faktin se “Shqipërisë i duhet një fytyrë e re për të qeverisur”. Duket sikur deri këtu gjithçka është “OK”.
Basha ka kërkuar edhe më parë Vetting për politikanët, dhe shpesh ripërsërit thirrjen e tij. Por më parë se të kërkojë “22 vite burg për politikanët si vjedhësit e votave” apo dhe kufizimin e mandateve për kreun e qeverisë në Shqipëri “kryeministër me dy mandate”, Lulzim Basha duhet të kufizojë mandatet për kryetar partie. Të paktën ta bëjë realitet këtë duke e futur në statut, si nen të veçantë.Ka prej 2013 deri sot,që ai humbet çdo zgjedhje vendore dhe të përgjithshme, dhe ka 4 mandate kryetari partie.
Edhe pse në statutin e Partisë Demokratike, është kërkuar me ngulm futja e një neni të tillë që kufizon vazhdimin e mandatit të kryetarit në rast se humbet zgjedhjet, ajo nuk është pranuar pikërisht nga Basha. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se Sali Berisha ishte i pari në atë parti, që u dorëhoq pa kthim, kur humbi zgjedhjet e vitit 2013, dhe kjo u vlerësua edhe nga anëtarësia, edhe pse shumica e tyre nuk e pranonte një gjë të tillë. Por ai u largua, dhe shpalli “garën e ndershme” për pasardhësin, duke mbështetur fshehtas Lulzim Bashën, dhe jo Sokol Olldashin. Të gjithë e dimë si vajti “fushata dhe votimi për kryetarin e ri”, apo dhe se si u ngjit triumfalisht Basha në postin e kryetarit të asaj partie. Fakti ishte se, nën hijen e Berishës, kryetari i ri, mori edhe bashkinë e Tiranës për “10 vota plus”, duke u shpallur fitues me ndihmën e Arben Ristanit asokohe kryetar KQZ-je.
Hija dhe emri i Bashës pas humbjes së vitit 2017, nisi të zbehet, dhe anëtarësia nisi të kërkonte largimin e tij si kryetar partie. Por ai nuk pranonte, sepse akoma nuk kishte dhënë “prova të qarta se ishte shkaku i humbjes” dhe premtonte fitore, ashtu siç nuk mendonte se “modeli italian do të ishte më i miri edhe për realitetin shqiptar”. Në rast se ka një kryetar partie, që ka vendosur rekord humbjesh në zgjedhje, dhe këmbëngul të qëndrojë kryetar i përjetshëm, ky është jo më Sali Berisha, por Lulzim Basha. Standardet në politikë nuk janë të dubluara, ato janë të vetme dhe të zbatueshme për cilindo. Në qoftëse thua se “kryeministri të kufizohet në vetëm dy mandate qeverisëse”, atëhere pse një kryetar partie duhet të qëndrojë 4 apo dhe 6 mandate edhe pse humbet zgjedhjet, edhe pse anëtarësia kërkon largimin e tij ?
Eshtë fakt se emancipimi i politikës shqiptare, ka mbetur në kufijtë e viteve ’60-70, ashtu siç ka mbetur e tillë edhe mënyra se si merret dhe mbahet posti i kryetarit , duke shfaqur dukshëm reminishenca të së kaluarës kumuniste. Lulzim Basha duhet të përmbysë këtë realitet, (që po gërryen partinë e tij) pastaj të propozojë modele dhe platforma “lëvizëse” për të ndryshuar “politikën e vjetëruar”.