Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se, projekti për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës është një investim prej 50 milionë euro.
Në fjalën e tij në ceremoninë e nisjes së punimeve për realizimin e projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, Peleshi tha se, “ky projekt sa ambicioz aq edhe i rëndësishëm, jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, por mbi të gjitha për sigurinë rajonale dhe drejtimin juglindor të NATO-s, mori jetë rreth 3 vite më parë, atëherë kur morëm zyrtarisht lajmin mbi këtë investim të rëndësishëm në vendin tonë me vlerë mbi 50 milionë euro”.
“Përzgjedhja e Shqipërisë për të zhvilluar këtë projekt, është dëshmi e qartë mbi aftësitë tashmë të konsoliduara të vendit tonë për të marrë më shumë përgjegjësi dhe për të vazhduar me maturi angazhimet dhe kontributin në arkitekturën e sigurisë së rajonit dhe më gjerë”, theksoi ai.
Për më tepër, shtoi Peleshi, “ky zhvillim vjen në një periudhë të trazuar në kufijtë lindorë të Aleancës. Prezenca NATO-s në vendin tonë nëpërmjet transformimit të kësaj baze është prova e fortë se Shqipëria, është një aleat i rëndësishëm në të cilin NATO beson dhe vlerëson rolin e vazhdueshëm kyç dhe konstruktiv që luan vendi ynë në rajon”.
“Ndërtimi i kësaj baze në vendin tonë, natyrisht është dhe një mesazh i qartë për aktorë me qëllime rivale në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky investim forcon orientimin tonë perëndimor drejt BE dhe SHBA. Rritja e pranisë perëndimore në të gjithë rajonin tonë, nuk është rezultat ekspansioni, por është rezultat i vullnetit tonë, është zgjedhja jonë strategjike, historike për të qenë në anën e perëndimit. Ne si Shqipëri, por dhe si shqiptarë në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Peleshi.
Ai nënvizoi se, “projekte dhe iniciativa tjera si kjo e e Kuçovës janë më se të mirëpritura në të ardhmen dhe ne jemi besimplotë se zhvillime të tjera do të pasojnë”.
“Transformimi i bazës ajrore të Kuçovës është një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë dhe Forcat e saj të Armatosura. Baza e re përveç se konfirmon prezencën domethënëse të NATO-s në vendin tonë, do të ketë impakt të rëndësishëm në fushën e sigurisë kombëtare si dhe në bashkëpunimin e drejtpërdrejt të Forcave tona të Armatosura dhe atyre aleate që do të operojnë këtu”, shtoi Peleshi.
Jemi të sigurt dhe të bindur, vijoi ai, “se me përfundimin e rikonstruksionit të kësaj baze dhe vënien në gatishmëri operacionale, baza ajrore taktike e Kuçovës do të luajë një rol vendimtar në mbështetjen e NATO-s dhe vendeve aleate për t’u dislokuar me shpejtësi dhe efikasitet”.
“Me përfundimin e punimeve ne do kemi jo thjesht dhe vetëm një objekt ushtarak në inventarin e FA por mbi të gjitha një model ndërtimi dhe funksionimi të një baze ushtarake. Baza gjithashtu do të ketë një ndikim të veçantë në marrëdhëniet civile ushtarake. Si dhe do të ketë një impakt pozitiv dhe në fushën sociale dhe ekonomike për komunitetin që jeton pranë kësaj baze”, tha Peleshi.
“Këtu ne presim rritje domethënë se të investimeve, punësimit, përmirësim të mëtejshëm të rrjetit rrugor kombëtar dhe shtim të shërbimeve të tjera”, tha ministri i Mbrojtjes.
“Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura janë të angazhuara që detyrimet e përcaktuar anë marrëveshjen e përbashkët midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s të kryhen në përputhje me afatet dhe standardet e kërkuara të projekteve të miratuara. Ne kemi përmbyllur dokumentacionin përkatës që përfshin ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve e lidhëse, ndriçimit, rrugës perimetrale, kamerave të sigurisë së bazës, vendosjen e sensorëve të zbulimit, të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës etj. Përgjegjësi këto për palën shqiptare të përcaktuara sipas marrëveshjes së përbashkët”, theksoi Peleshi.
Gjithashtu, shtoi ai, “në bashkëpunim me pushtetin vendor po ndjekim me seriozitet përmbylljen e praktikave të shpronësimeve sipas detyrimeve dhe përcaktimeve ligjore”.
Peleshi garantoi, “mbështetje maksimale për përmbylljen me sukses të këtij projekti me rëndësi strategjike, jo vetëm për sigurinë e Shqipërisë, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe sigurisht për Aleancën tonë transatlantike”.