Është ndarë nga jeta në moshën 89 vjeçare dom Gjergj Simoni, i cili për shume vite vuajti në burgjet e komunizmit bashke me një pjese te konsiderueshme te martireve. Dom Gjergj Simoni është autor i shumë botimeve ndërsa pak kohë para se të ndahej nga jeta u njoh edhe me dosjen e sigurimit të shtetit.

Postimi i Famullisë së Dajç B/Bunës

Të dashtun, sot me datë 28 janar 2022, kaloi n’Amshim, Dom Gjergj Simoni, nji ndër dëshmitartë dhe bashkëvujtës me Martirt tanë gjatë kohës së komunizmit. Dom Gjergji ka sherby per 17 vjet ne famulline e Dajçit. Ka pas kohet ma te veshtira, te hapjes se Kishave. Kontributi i tij mbetet i pashlyer ne mendjet e besimtareve dhe ne veprat qe ka lane ne rimbekembjen e jetes shpirterore!

Pushosh n’Lumninë e Krishtit t’Cilit ja kushtove tanë jeten tande, i dashtun Dom Gjergj, vazhdo e lutu për ne e për Kishën n’Shqipni.

Kush është Dom Gjergj Simoni Gjergj Simoni u lind në 8 dhjetor të vitit 1933 në qytetin e Shkodrës në një familje me origjinë qytetare, ku të parët e tyre janë vendosur aty tek “Arra e Madhe” që prej 400 vjetësh. Gjyshi i Gjergjit, Moni Simon, ka qënë njëri ndër tregtarët më të mëdhenj të pazarit të Shkodrës (Bezistanit) dhe pasurinë e tij ai e kishte vënë nga tregtia që bënte asokohe me Italinë. Po kështu edhe babai i Gjergjit, Kolë Simoni, trashëgoi zanatin e të jatit duke u marrë me tregti, por jo pasurinë që kishtë pasur ai, pasi atyre u falimentoi tregtia dhe familja ra në varfëri të plotë.

Kështu në atë gjëndje të mjerushme ekonomike, Kol Simoni dhe bashkëshortja e tij, Gjyste Hugashi, i lindën dhe i rritën tre fëmijët e tyre, Zefin, Gjergjin dhe vajzën e vetme, Çiljetën.

Lidhur me këtë, Gjergj Simoni kujton: “Duke kene se të dy prindrit tanë ishin besimtarë të devotshëm të fesë sonë katolike, si vëllaun tem, Zefin, ashtu dhe mue, na patën çue për me mësue në Kolegjin e Fretënve, ku ne na pat marrë nën kujdestari, Dom Mark Harapi, vëllau i Padër Anton Harapit.

Por pas ardhjes së komunistëve në pushtet, si unë ashtu dhe vëllau Zefi, u detyruem me u fut në punë të ndryshme për me mbajtë familjen e varfër dhe nuk mundëm që të vazhdojshim rregullisht studimet Teologjike, pasi ajo gja k’je ndalue prej pushtetit komunist.

Por t’uj kenë të brymosun e të devotshëm për fenë katolike, si im vella, Zefi, ashtu dhe unë, morëm fshehtas mësimet fetare nga Dom Mark Harapi e Padër Aleks Baqli.

Por vetëm im vëlla, Zefi, në vitin 1961 mundi me u shugurue mshehtas si meshtar nga Arqipeshkvia e Shkodrës, por pa e ushtrue dot atë gja legalisht. Kështu që ai u detyrue për me mbarue edhe Institutin e Lartë për Gjuhë-Letërsi dhe disa kohë pat punue edhe si mësues në gjimnazet e qytetit të Shkodrës.

Ndërsa unë për vite me rradhë deri ditën që kjeshë arrestue, pata punue në punë të ndryshme si punëtor dhe në Hidrocentralin e Vaut të Dejës”, kujton Dom Gjergj Simoni, lidhur me të kaluarën e familjes dhe peripecitë e tij e të vëllait, për të marrë fshëhtas mësimet fetare nga Dom Mark Harapi e Padër Aleks Baqli.