Ndotja e mjedisit në Razëm për shkak të mbetjeve të hedhura në mënyrë të jashtëligjshme solli ndëshkimin me gjobë ndaj kryetarit të bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ditën e premte ka kryer inspektime në terren, duke konstatuar sasi të mëdha mbetjesh të hedhura në territorin e Razmës.
Kjo ka bërë që menjëherë të aplikohet gjoba prej 500,000 lekësh të reja drejtpërdrejtë për kryetarin e bashkisë së Malësisë së Madhe.

Gjoba ndaj kryetarit të bashkisë parashikohet nga ligji “Për menaxhimin e mbetjeve”, i cili është miratuar që në vitin 2011 por ky sanksion që ndëshkon direkt titullarin më të lartë të bashkisë nuk është aplikuar ndonjëherë.

Masa ndaj Tonin Marinajt, që bëhet kështu kryetari i parë i bashkisë i cili ndëshkohet për keqmenaxhimin e mbetjeve, vjen në një moment kur mjedisi është shpallur prioritet absolut nga qeveria.
Prej fillimit të muajit nëntor në të gjithë territorin vazhdon Plani i Pastrimit Kombëtar, në koordinim me prefektët e qarqeve dhe të gjitha institucionet qendrore dhe vendore.

Në të gjitha takimet e hapura të organizuara me kryetarët e bashkive, Kryeministri Rama dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro kanë kërkuar që bashkitë të buxhetojnë me prioritet pastrimin e territorit, pasi në të kundërt nuk do t’u miratohen buxhetet për vitin 2022, ndërsa mbetjet do të depozitohen vetëm në pikat fundore të licensuara.