Sinoptikania Lajda Porja tha në një lidhje me “Skype” për Nees24 se dita e martë parashikohet të jetë dita më e ftohtë e këtij acari, ku temperaturat në zonat malore do të shkojnë deri në minus 17 gradë celsius, ndërsa në Tiranë pritet të zbresë deri në minus 5 gradë.
Sipas sinoptikanes, vala e të ftohtit pritet të tërhiqet nga Shqipëria ditën e mërkurë, ku moti do të vijojë i kthjellët dhe me temperatura normale për muajin janar.
“Temperaturat me ulje janë kryesisht në Qarkun e Dibrës dhe Korçës. Kryeqyteti ka shënuar minus 3 ose 4 gradë, që nuk është ndonjë temperaturë. Tirana edhe nesër me rezerva nuk shkon më shumë se minus 5, ku parashikohet të jetë edhe dita më e ftohtë e këtij acari. Zonat më të ftohta janë Qarku i Elbasanit dhe Beratit, ku priten temperatura deri në minus 8 gradë, ndërsa më problematike janë zonat malore, ku temperaturat minimale e maksimale janë në minus, ku flasim për deri në minus 17 gradë.
Ka një tërheqje të valës së të ftohtit ditën e mërkurë, ku pritet një rritje e temperaturave, dhe mbeten minus 5-6 në zonat malore. Aktualisht temperaturat janë 10-11 gradë më të ulëta se zakonisht në janar. Pas të mërkurës, deri të premten, pritet që moti të jetë i kthjellët. E premtja parashikohet të sjellë shumë pak reshje dëbore të dobëta në zonat malore. Duhet thënë që janari mbyllet i thatë me reshje shumë të pakta dhe temperatura 2-3 gradë më të ulëta se ç’duhet të jenë”, tha sinoptikania.