Moti i acartë me temperatura të ulëta nën 0 gradë ka mbërthyer vendin. Ngricat, reshjet e dëborës dhe akulli në rrugë kanë vështirësuar qarkullimin në disa zona të vendit.
Problematike situata paraqitet në qarkun e Dibrës, ku disa zona të saj përfshirë Lurën, Kalanë e Dodës e Reçi janë të izoluara. Prej gati tre ditësh banorët e këtyre zonave së bashku më zonën e Krastës, Bulqizës dhe Ostrenit kanë mbetur pa energji elektrike
Veç ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe vështirësisë në qarkullim për mjetet që kryhet të përdorin goma dimri dhe zinxhir në akset rrugore që përshkojnë këto zona, në Peshkopi ndër të tjera janë evidentuar probleme edhe me furnizimin me ujë të pijshëm si pasojë e ngrirjes së tubacioneve.
Ndërprerje të energjisë janë konstatuar edhe në disa zona në Elbasan dhe në Gramsh. Akset rrugore nacionale janë të hapura për qarkullimin e mjeteve në këto zona, ku firmat kontraktore kanë bërë edhe kriposjen e rrugëve problematike.
Ndërkohë, reshje dëbore kanë mbuluar Llogaranë e zona të tjera si Memaliaj e Hani i Hotit. Megjithatë, akset rrugore njofton Autoriteti Rrugor Shqiptar në këto zona janë të kalueshme pasi borëpastruese kanë ndërhyrë gjatë natës në terren për pastrimin e tyre dhe hedhjen e kripës për të lehtësuar qarkullimin.
Autoriteti Rrugor Shqiptar apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje si dhe të pajisen me zinxhirë dhe goma dimri për të mos hasur vështirësi në qarkullim.