Kryeministri, Edi Rama paraditen e sotme ishte i pranishëm në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku falë investimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut nisin zyrtarisht punimet për modernizimin e saj, duke e shndërruar në bazën e parë ushtarake që NATO do të ketë në Ballkanin Perëndimor. Vendimi që NATO mori për të përzgjedhur Bazën Ajrore të Kuçovës si një mjedis potencial për trajtimin e sfidave të sigurisë është një moment i rëndësishëm për vendin tonë.

Kryeministri u shpreh se lajmi për kërë bazë ishte një lajm i mirëseardhur duke thënë se: “Konfirmon faktin se Shqipëria e vogël është sidoqoftë një vlerë e shtuar në këtë Alenacë, e cila bashkon së bashku ata që besojnë në disa vlera dhe parime, për të cilat ia vlen të luftohet.” Kjo sepse e kthen bazën e Kuçovës në një bazë taktike të Aleancës në rajon dhe njëkohësisht rikonfirmon faktin se Shqipëria mbetet një aleate e palëkundur e aleancës në mbrojtje të vlerave euroatlantike.

Me tej Kryeministri theksoi rëndësinë në aspektin, gjeografik, politik dhe strategjik të Bazës së Kuçovës, duke thënë se: “Krijonte një vlerë të re në të gjithë infrastrukturën tonë të mbrojtjes. Por, në të njëjtën kohë, përçonte edhe një energji të re në përpjekjen tonë për ta shfrytëzuar me sa më shumë inteligjencë dhe pragmatizëm pozicionin tonë strategjik në aspektin gjeografik dhe pozitën tonë në NATO, në aspektin politik, por edhe ushtarak.”
Përveç përfitimeve në aspektin strategjik dhe ushtarak, kjo bazë do të transformojë dhe do të këtë ndikim afatgjatë edhe në aspektin ekonomik e social, jo vetëm në zonën e Kuçovës, por edhe për një rreze më të gjerë.

Ndikim në aspektin e përfitimit ekonomik do të ketë përmirësimi i mëtejshëm i rrjetit rrugor kombëtar dhe shërbimeve të tjera për komunitetet në Berat, Kuçovë dhe rrethinat e tyre. Ky investim i madh i Aleancës do të tërheqë investime nga bizneset vendase e të huaja, duke ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e punësimit në zonë. Kjo nënkupton se investimi në bazë ka një impakt të ndjeshëm në veprimtarinë ekonomike të Kuçovës, por edhe zonës përreth.

Dita e sotme është një çast i shënuar për Bazën e Kuçovës, e cila ka ekzistuar që në vitet ‘50, dhe që sot futet në një kapitull për modernizimin e plotë, duke e shndërruar atë në një Bazë Ajrore të standardeve të NATO-s. Në fazën e parë të projektit do të investohen 51 milionë euro për një bazë që e bën Shqipërinë pjesë të hartës së interesave strategjike të NATO-s, si e vetmja bazë ajrore e saj në rajon.

Kështu, Shqipëria merr një rëndësi strategjike të munguar në kohë, duke ofruar siguri të shtuar për vendin, Ballkanin e më gjerë, si dhe falë pozicionit të saj forcon krahun juglindor të Aleancës. Kjo bazë, si një Bazë Taktike e Dislokueshme me të gjithë infrastrukturën dhe me kapacitetet e nevojshme, do të përmbushë misionet stërvitore të NATO-s, apo misione luftarake në kohë krize. Qeveria nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe procesin e shpronësimit të 187 pronave, duke u angazhuar me ndjeshmërinë me të lartë për të garantuar që çdo pronar të kompesohet në kohë.

Kjo është një tjetër mundësi e shkëlqyer për fuqizimin e Forcave tona Ajrore, krahas përpjekjes së vazhdueshme për të kaluar në një Standard të ri Forcat tona të Armatosura duke rritur ndërveprimin me Aleancën.