Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike/

E keni gjetur ndonjëherë veten të paduruar?

E keni humbur ndonjëherë durimin dhe më pas jeni penduar?

Një përplasje e fuqishme dere mund të ketë ndodhur sepse dëgjuat një fjalë që ju irritoi dhe ju nuk patët durimin ta sqaronit….

Të ngrihesh nga tavolina apo të dalësh nga makina se nuk po duron dot më…

Të largojnë nga puna e zihesh me të gjithë…

…këto janë disa shembuj padurimi.

Durimi nuk është aftësia për të pritur, por aftësia për të mbajtur një qëndrim të mirë gjatë pritjes thotë një shprehje.

Durimi është një aftësi për të mbajtur qetësinë përballë zhgënjimeve, shqetësimeve, vuajtjeve. Ky virtyt lidhet me një sërë rezultatesh pozitive shëndetësore, të tilla si ulja e depresionit, ulje e sjelljeve rriskuese dhe emocioneve e mendimeve negative. Studiuesit kanë arritur në përfundimin se njerëzit e durueshëm shfaqin më shumë sjellje prosociale si empatia, dhe kanë më shumë gjasa të shfaqnin bujari dhe dhembshuri.

Durimi mundëson analizim të gjërave dhe situatave përtej vlerës së tyre. Shkathtësia, qetësia, sjellja empatike dhe vetëkontrolli i njerëzve të durueshëm mund ta bëjnë individin më të pranuar e të pëlqyer në shoqëri. Gjithashtu u jep atyre paqen e brendshme dhe aftësinë për të vazhduar buzëqeshjen pavarësisht sfidave.

Studjuesit e shohin Durimin në tre drejtime:

– në rrafshin personal, që nënkupton shkallën e ruajtjes së qetësisë kur jeni i mërzitur, i zemëruar, kur sulmoheni apo ndjeheni të kërcënuar,

– gjetja e vijës së argjëndtë në rrafshin jetësor, kur përballeni me vështirësitë e jetës dhe pengesa serioze,

– dhe në përditshmëri ku reagimet tona të pandërgjegjshme impulsive komandojnë sjelljet tona ndaj çdo gjëje që na bezdis: një vonesë, një fjalë, nje gjest i vogël irritues apo dhe një cicërimë që na nxjerr jashtë kontrollit.

Lajmi i mirë është se durimi, si tipar personaliteti, është i modifikueshëm dhe mund të kultivohet. Pra nëse e ndjen veten se je një person me prag të ulët durimi mendo benefitet e durimit për mirqënien tënde psikologjike dhe të familjarëve, miqve e kolegëve të tu duke konsideruar faktin se të qënit i duruar ja vlen të kultivohet.

– Identifikoni çfarë ju bën të paduruar.

– Reflektoni mbi strategjitë që përdorni aktualisht për të përballur padurimin tuaj.

– Përvetësoni teknika për të rritur pragun e durimit tuaj: ndërprisni reagimet e menjëhershme duke vlerësuar rrezikun dhe pasojat e veprimeve tuaja të pamenduara, riformuloni përvojën tuaj stresuese bazuar në një sjellje model të një njeriu të duruar dhe mendoni sesa e bukur do ishte jeta juaj nëse do ishit më i duruar. Durimi dhe këmbëngulja kanë një efekt magjik përpara të cilave çdo vështirësi dhe pengesë zhduket.

Durimi…

ia dha drurit – u thà,

Ia dha lumit – shteroi,

ia dha gurit, u ça,

ia dha njeriut – e mbajti.

Në foto Lulja e Durimit, lulëzon një herë në 7 vjet për vetëm 7 ditë. Konsiderohet endemike dhe gjëndet në ishullin Hawai. Quhet “xhevahiri i kurorës” së malit vullkanik Mauna Kea.