Qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në referendumin e Serbisë
Pas takimit me Ambasadorët e Quint-it dhe përfaqësuesin e BE-së, qeveria e Kosovës njofton se votimi do të bëhet nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, ndërkohë që theksojnë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
“Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e shtetit tonë jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja.
Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër. Prandaj, praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Sipas qeverisë së Kosovës, çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë. Sepse, para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë, thuhet më tej në njoftim.
Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se votat e referendumit për kushtetutën e Serbisë që mbahet të dielën në të kaluarën janë mbledhur me lehtësimin e misionit të OSBE-së. Përmes Twitter-it, Borrell tha se për këtë ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksander Vuçiç.