resim bisedime konstruktive me qeverinë e re në Republikën e Bullgarisë, përsa i përket çështjeve thelbësore të cilat i kemi në tavolinë, dhe zhbllokim të shpejtë të procesit, deklaroi ministri i punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut , Bujar Osmani.
Në konferencën e sotme për media, Osmani, në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve nëse është caktuar takim me kryeministrin bullgar Kiril Petkov, sqaroi se ”është paraparë intensifikim i komunikimit që në ditët dhe javët e para të këtij viti”.
Ndërkohë, theksoi shefi i diplomacisë, ”do të punohet në aktivitete përgatitore për realizimin e atyre aktiviteteve menjëherë pas formimit të qeverisë së re”.
Osmani përkujtoi se ”Bullgaria para dy ditëve shënoi 15 vjetorin e anëtarësimit të saj në BE dhe në gjithë këtë periudhë, ajo ka qënë mbështetëse e zgjerimit”.
“Kjo është për shkak të faktit se ky është interesi kombëtar i Bullgarisë, por edhe interes strategjik dhe gjeopolitik i BE-së. Zgjerimi nuk është vetëm interes i yni ose i vendeve aspiruese dhe kandidate, por është çështje strategjike gjeopolitike për BE-në, përfshirë edhe Bullgarinë. Presim që në kuadër të atij vizioni t’i vazhdojmë bisedimet, sepse edhe marrëdhëniet tona do ta kenë potencialin e tyre të vërtetë nëse realizohen në kuadër të aspiratave eurointegruese, sidomos ambicieve të rajonit”, deklaroi shefi i diplomacisë.
Në pyetjen për deklaratën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama për ndarje të mundshme të Shqipërisë nga proçesi, Osmani vlerësoi se ”grupimi joformal politik i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është në interes të të dyja shteteve”.
“Këto procese janë ciklike, sot Shqipëria nuk ka probleme, Maqedonia e Veriut ka, megjithatë në vitin 2019 situata ishte e kundërt, ne nuk kishim probleme, Shqipëria kishte”, shtoi Osmani.
”Shqipëria ka të drejtë të kërkojë një gjë të tillë sepse procesi është individual”, sqaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.