Vlera e pagesave bankare me e-banking arriti në 1.075 trilionë lekë, në fund të 11-mujorit 2021 ose 30 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë vitin e kaluar.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, mesatarja mujore e transaksioneve bankave online rezulton rreth 97.8 miliardë lekë, nga 87.1 miliardë lekë që ishte mesatarja mujore e vlerës së transaksioneve për vitin 2020.
Sipas BSH-së, numri i pagesave për 11-mujorin 2021 arriti në 4.47 milionë, nga 4.12 milionë që ishte në 2020, teksa mesatarja mujore ka arritur në rreth 406 mijë veprime, nga 343 mijë që kishte qenë mesatarja e vitit të kaluar.
Pagesat bankare në distancë konsistojnë në pjesën dërrmuese në veprime nëpërmjet internetit apo aplikacioneve celulare (që në thelb janë gjithmonë një kanal i internet banking).
Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga 11 prej 12 bankave tregtare në Shqipëri.