Një ditë pasi Edi Paloka pranoi manipulimin e votave në zgjedhjet për kryetar të PD në korrik 2021 ku Lulzim Basha u rizgjodh sërish , ka reaguar Fatbardh Kadilli, i cili ishte gjithashtu kandidat për kryetar në ato zgjedhje. I revoltuar Kadilli shkruan se nuk do të komentojë faktin se ai është viktimë e atyre zgjedhjeve, por kërkon që Lulzim Basha dhe elita drejtuese e PD duhet të largohet dhe të krijohet një një administratë partiake profesioniste, e paanshme në organizimin e zgjedhjeve të brendshme.
“Tre propozime prej një rrëfimi. Edi Paloka u shfaq i penduar dje duke pranuar që kishte punuar për vjedhjen e votave për të rizgjedhur Lulzim Bashën si kryetar të partisë. Nuk dua të komentoj nisur nga fakti që unë jam viktimë direkte e vjedhjes së votave në PD. Nuk komentoj as rrëfimin e këtij mëkati të pafalshëm të Palokës.
Dua të ngre tre kërkesa që nën dritën e deklaratës së Palokës janë më të domosdoshme se kurrë për të ardhmen e PD-së:
1. Lulzim Basha duhet të japë dorëheqjen duke mundësuar që në PD të ketë garë për kryetarin. Vetëm fakti që solli Paloka është në vetvete detyrim që Basha të japë menjëherë dorëheqjen.
2. PD duhet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën si administrohet: duhet të krijohet një administratë partiake profesioniste, e paanshme në organizimin dhe administrimin e të gjitha aktiviteteve partiake përfshi zgjedhjet e brendshme.
3. PD ka nevojë të ndërrojë urgjentisht jo vetëm kryetarin, por edhe elitën e saj drejtuese. Shumë drejtues të lartë, si mes atyre që mbështesin Bashën edhe atyre që mbështesin Berishën, janë komprementuar rëndë dhe nuk mund të jenë pjesë e drejtimit të PD-së në të ardhmen.
Nëse këto tre kërkesa do të plotësohen, ato do sjellin edhe një rezultat jetik për të ardhmen: unifikimin e PD-së me një kryetar dhe ekip të ri drejtues dhe një vizion të ri për të ardhmen”, shkruan Kadilli.
Një ditë më parë Edi Paloka pohoi se ka manipuluar votat e anëtarëve të Partisë Demokratike për të zgjedhur Lulzim Bashën kryetar në zgjedhjet e fundit para pak muajsh. Ai ka inkriminuar veten e tij për të argumentuar arsyen se përse nuk është pjesë aktive e Komisionit të Rithemelimit, duke u shprehur se nuk mund t’u kërkojë votat demokratëve për kandidatë e Komisionit të Rithemelimit në zgjedhjet e pjesshme lokale, pasi ai u ka kërkuar më herët që t’i manipulonin votat për Bashën.
Në garë me Lulzim Bashën ka qenë Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj dhe Edith Harxhi, ku kryedemokrati i fitoi me 81% të votave.