Mjeku Pëllumb Pipero ka bërë sot një parashikim optimist, duke thënë se fundi i pandemisë është shumë afër. Në një lidhje direkte me emisionin “Rudina” në Tv Klan, Pipero u shpreh se varianti Omicron po bëhet dominues në të gjithë botën, duke infektuar shumë njerëz dhe duke i imunizuar ata.
Sipas tij infektimet e shtuara mund të sjellin një imunizim më të madh dhe kjo gjë mund të sjellë fundin e pandemisë.
“Unë besoj se Omicron është fillimi i fundit të kësaj pandemie. Duke shprehur që të mos kemi ndonjë varianti të ri dhe nuk do të ketë ndonjë variant më të transmetueshëm sa Omicron. Fakti që numri i rasteve është shumë i madh, mundëson që një numër i madh qytetarësh të imunizohen.
Atë që nuk e bëjmë me anë të vaksinimit, një pjesë e kësaj neglizhence do të mbulohet shumë mirë nga Omicron. Omicron ka treguar një transmetueshmëri të frikshme, është shumë i lartë. Fakti që Omicron është dominues dëshmon që mundësia për t’iu shmangur infeskionit nga Omicron është shumë e vogël. Të gjithë evidencat, të gjitha statistikat dëshmojnë që numri më i madh i infektuesve të sëmurë është mes personave të pavaksinuar.
Po ashtu dhe rastet e rënda janë të pavaksinuar. Të mos harrojmë se tani qarkullon edhe Delta dhe virusi i gripit stinor. Edhe në vendin tonë mendoj se Omicron është bërë dominues. Kemi numër të shtuar të rasteve të infektuara, por pak raste që shkojnë në spital”, tha Pipero.