Presidenti francez Emmanuel Macron i ka kërkuar Iranit të marrë një qasje konstruktive ndaj negociatave ndërkombëtare në mënyrë që të përshpejtojë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore, njoftoi sor pallati presidencial Élysée.
Në një bisedë telefonike me homologun e tij iranian Ebrahim Raisi të shtunën, Macron tha se dëshironte të arrinte një progres të prekshëm së shpejti, thuhet në një deklaratë nga pallati.
“Çdo marrëveshje kërkon angazhime të qarta dhe të mjaftueshme nga të gjitha palët, për të cilat Franca po punon me partnerët e saj”, shtoi ajo. Pas një pauze disa mujore, bisedimet bërthamore midis Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar rifilluan në fund të nëntorit. Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, së bashku me Rusinë dhe Kinën, kanë patur një rol ndërmjetësues midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara me shpresën për të shpëtuar marrëveshjen e vitit 2015 të njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit.
Kjo marrëveshje synonte të hiqte sanksionet ekonomike të SHBA-së ndaj Iranit dhe në këmbim ta detyronte Teheranin të pajtohej me kufizimet në programin e tij bërthamor. Qëllimi përfundimtar është parandalimi i Iranit nga zhvillimi i armëve bërthamore.
Vetëm pak ditë më parë, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock akuzoi Iranin se po minon negociatat duke intensifikuar programin e tij bërthamor paralelisht me bisedimet.