Pas Tiranës, Fierit dhe Gjirokastrës, edhe Shoqata Rajonale e Korçës ka denoncuar tentativat e Armando Dukës për të manipuluar zgjedhjet në FSHF. Përmes një deklarate publike, përfaqësuesit e futbollit juglindor I kanë bërë thirrje organeve të FSHF-së, për transparencë në lidhje me vendimmarrjen dhe veprimet e saj proceduriale që kanë të bëjnë me organizimin e procesit zgjedhor për zgjedhjen e delegatëve të Asamblesë së Përgjithshme të FSHF.

Ata i cilësojnë vendimet e marra dhe veprimet proceduriale të kryera, deri më tani, nga FSHF dhe disa SHRF, në lidhje me organizimin e zgjedhjeve për caktimin e delegatëve në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së të pavlefshme dhe të marra në kundërshtim dhe mosrespektim të përcaktimeve të bëra në Statutin e SHRF-së dhe Rregulloren e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së.

Në deklaratë thuhet se FSHF dhe disa SHRF kanë organizuar dhe kanë zhvilluar së fundmi, një proces zgjedhor të votimit të delegatëve me të drejtë vote që do të përfaqësojnë SHRF-të në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF, në mungesë të plotë të transparencës dhe në mosrespektim të hapur të përcaktimeve statusore.
Shoqata Rajonale e Korçës thotë se FSHF po tenton me sajime mediatike dhe shkresore të transformojë dhe të inskenojë si një ndërhyrje politike në proces, çdo pretendim të përligjur të anëtarësisë për zhvillimin nga FSHF të një procesi të parregullt zgjedhor.

Në përfundim, të deklaratës së tyre, Shoqata Shoqata Rajonale e Korçës thekson: “Deklarojmë vendimmarrjen tonë respektive, për revokimin e menjëhershëm të çdo akti të nënshkruar deri më sot nga ana jonë si përfaqësues ligjor të subjekteve anëtare Shoqatës Rajonale të Futbollit Korçë, për caktimin e delegatëve në punimet e Asambleve të Përgjithshme të SHRFK të datës 28.01.2022; duke konsideruar çdo vendim apo veprim të mëtejshëm procedurial të marrë nga këta delegatë, si një vendim apo veprim absolutisht i pavlefshëm, në mungesë të tagrave përkatëse përfaqësuese dhe të dënueshëm penalisht.

Ne përfaqësuesit ligjor të subjekteve anëtare të Shoqatës Rajonale të Futbollit Korçë jemi të vetmit përfaqësues ligjor me tagra të plota përfaqësimi në mbledhjet që do të zhvillohen nga Asambleja e Përgjithshme të SHRFK dhe në mbledhjet që do të zhvillohen nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF”, nënvizohet në deklaratën publike.

484_220128100843_0001