Pas mbledhjes së kryesisë ku përjashtoi përfundimisht Sali Berishën dhe mbështetësit e tij nga partia, Lulzim Basha do të mbledhë këshillin kombëtar me 15 janar në orën 16:30. Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi ka informuar të gjithë anëtarët dhe u ka dërguar atyre rendin e ditës. Pritet që Këshilli Kombëtar të informohet mbi vendimet e Kryesisë së PD-së dhe të diskutojë për situatën e krijuar pas protestës së 8 Janarit.
“Në vijim të datës së caktuar në mbledhjen paraardhëse, ju konfirmoj se mbledhja e Këshillit Kombëtar do të zhvillohet, ditën e shtunë, datë 15.01.2022, ora 16:30, në sallën e katit të II, selia qendrore e PD. Rendi i Ditës së mbledhjes është si më poshtë:
1.Informim mbi vendimet e Kryesisë së Partisë Demokratike dhe diskutime mbi situatën e krijuar nga aktet e dhunës në datën 8 Janar.
2.Shqyrtimi dhe miratimi i Rregullores së Brendshme të funksionimit të Këshillit Kombëtar, të përgatitut nga grupi i punës së ngritur me vendim të Këshillit Kombëtar nr. 172, datë 23.12.2021.
3.Diskutim dhe informim për planin e organizimit të partisë dhe ndarja e detyrave për anëtarët e Këshillit Kombëtar.
Duke ju uruar punë të mbarë,
Sekretari i Përgjithshëm
Gazment Bardhi”, thuhet në një njoftim të Bardhit.