Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë, një tregues i rëndësishëm i performancës ekonomike dhe një njësi e dobishme për të bërë krahasime të standardeve mesatare të jetesës dhe mirëqenies ekonomike, pritet të shkojë mbi 600 mijë lekë këtë vit.

Të ardhurat për frymë nga vitit 2013 e deri në vitin 2021 kanë njohur rritje me 1274 dollarë. Në qoftë se në vitin 2013, të ardhurat për frymë kanë qenë 4413 dollarë, në vitin 2021 ato llogariten rreth 5687 dollarë në vit. Referuar të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në periudhën 2006-2013 të ardhurat mesatare për frymë ishin 4030 USD, ndërsa në periudhën 2014-2021 llogariten 4717 USD dhe në 2022 do të jenë 6000 dollarë. Sfidat kryesore për Shqipërinë përfshijnë nevojën për të përshpejtuar rritjen dhe krijimin e vendeve të punës.

Përmirësimi i lidhjes rajonale dhe aksesi ndaj tregjeve rajonale dhe globale, së bashku me diversifikimin e eksporteve dhe të tregut, mund të ndihmojnë për të përshpejtuar rritjen. Ekonomia nisi rimëkëmbjen gjatë vitit 2021 pas dy goditjeve të njëpasnjëshme, tërmetit të fortë të 26 nëntorit 2019, si dhe pandemisë COVID-19.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, paraqiti në një konferencë për shtyp, këtë javë përmbledhjen e treguesve kryesorë të ekonomisë për vitin 2021 dhe prioriteteve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për vitin 2022.

Ministrja u shpreh se rritja ekonomike për vitin 2021 parashikohet të jetë në nivelin 8.6 %. “GDP-ja për frymë është një tjetër tregues që tregon për mirëqenien e qytetarëve dhe të konsumit. Pritet që për vitin 2022 të jetë në nivelin 600 e 61 mijë lekë për banor”, deklaroi ajo. Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, Tirana ofron standardin më të lartë të jetesës, pasi të ardhurat për frymë rezultojnë të jenë 201,1 % më të larta sesa mesatarja në vend.