Polonia ka nisur punën për ngritjen e murit për refugjatët në kufirin me Bjellorusinë, një vepër që opozita e sulmon, duke e cilësuar si muri i turpit.

Roja Kufitare polake njoftoi fillimin e kantierit që qeveria e Varshavës dëshiron të ngrejë për të mbrojtur vendin nga vala e refugjatëve të përdorur si armë nga diktatori Aleksander Lukashenko.

Kujtojmë se qindra burra, gra dhe fëmijë ëndërrojnë të arrijnë Evropën, duke kaluar pyjet, kënetat dhe lumin që ndan dy shtetet, duke sfiduar edhe të ftohtin e muajve të fundit.

Ekzekutivi i kryeministrit Morawiecki ka akorduar investime të paprecedentë për të blinduar 186 kilometra të kufirit me një kosto të madhe, rreth 350 milionë euro.

Por, qeveria ka përfunduar nën vëzhgimin e opozitës që e akuzon atë se po e bën Poloninë një simbol të mungesës së solidaritetit me emigrantët që vijnë nga zonat më katastrofike të botës.

Kufiri midis Polonisë dhe Bjellorusisë është 418 kilometra i gjatë, 171 prej të cilave kufizohen nga lumi Bug, ndërsa 67 kilometra kalojnë nëpër këneta.

”Muri do të ndërtohet vetëm në tokë të thatë”, sqaroi Anna Michalska, zëdhënëse e Rojes Kufitare, duke shtuar se ndikimi i kësaj nisme në mjedis duhet të jetë minimal.

Megjithatë, shkencëtarët dhe ambientalistët të lidhur me pyllin Bielowieza, i cili ndodhet pikërisht në kufi dhe që tani duhet të ndahet nga muri, nuk janë dakord.

Është një rezervë unike, e populluar nga bizonë dhe kafshë të tjera.

Ndër frikërat e ndryshme, është edhe ajo se një ndërhyrje e tillë mund të bëjë që pylli të anulohet nga lista e trashëgimisë së UNESCO-s.