SHBA i ka dhënë një tjetër shuplakë Sali Berishës duke dënuar përpjekjet e tij për të rimarrë me dhunë Partinë Demokratike. Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar dënoi dhunën në protestën e 8 janarit në selinë e PD-së, ndërsa bëri të qartë se jo çdo anëtar i PD është aleat i SHBA-ve për momentin.
“Mendoj se është për të ardhur keq që dikush do të të përdorë dhunën dhe jo kutinë e votimit në një përpjeke për të marrë nën kontroll një parti politike. Ne e dënojmë këtë. Jo gjithkush që pretendon se është anëtar i PD është i partner i rëndësishëm i joni tani”, tha Eskobar në një intervistë për VOA.
Për shkak të protestës së dhunshme dhe cenimit të jetës së demokratëve dhe deputetëve brenda selisë blu, një ditë më parë Sali Berisha u përjashtua nga parti që themeloi dhe drejtoi për 22 vite. Me vendim të Kryesisë së PD, Berisha u përjashtua përfundimisht nga PD, ndërsa më 9 shtator 2021 ishte përjashtuar nga grupi parlamentar demokrat pas shpalljes “non grata” nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë në vend.
8 janari shënoi një ditë dramatike se si anëtarë të së njëjtës parti u përçanë dhe shkatërruan godinën e shtëpisë së tyre. Militantë dhe mbështetës të Berishës me vare e çekiçë në duar shqyen dyert e blinduara nga Basha dhe thyen xhama e shkatërruan zyra, ndërsa mbështetësit e Bashws iu kundërpërgjigjën nga brenda me gaz lotsjellës. Kjo bëri që seli blu të kthehej në një skenë krimi për policinë dhe prokurorinë ku u arrestuan 34 persona dhe të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.