Pas vendimit për ndërprerjen e procesit mësimor nga data 24 – 26 janar për shkak të uljes së temperaturave, qeveria ka vendosur që të lërë pushim në këto data edhe njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin bazë. Bëhet fjalë për ata prindër që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.

V E N D I MI

PËR CAKTIMIN E DATAVE 24, 25 DHE 26 JANAR 2022 DITË PUSHIMI PËR PRINDIN KUJDESTAR TË FËMIJËVE TË MITUR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Caktimin e datave 24, 25 dhe 26 janar 2022 ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.

Nëpunësit civilë dhe punonjësit e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, gjatë kësaj periudhe, për aq sa është e mundur, përjashtimisht, me kërkesë të eprorit të drejtpërdrejtë ose titullarit të institucionit, mund të kryejnë detyrat më të domosdoshme funksionale të cilat përmbushen në kushtet e banesës, nëpërmjet telepunës.

Për shkak të mbylljes së çerdheve dhe të institucioneve arsimore, si pasojë e motit të ftohtë të këtyre ditëve, jo të zakonshëm në vend, dhe përshkallëzimit të përhapjes së infeksionit nga COVID-19, iu bëjmë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre, sipas pikës 1, të këtij vendimi.

Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi, duke garantuar funksionalitetin e domosdoshëm të çdo institucioni.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.