Thotë se gjatë gjithë jetës së tij ka qenë në kërkim të vlerave sublime të qytetërimit. E vërteta është njëra prej tyre dhe, për të paktën, një segment të saj vendosi ta paraqesë në formën e një romani dokumentar, si “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes”, botuar nga Botimet KOHA. Sipas tij, në Serbi mbretëron rrena dhe një komplot i heshtjes për atë që ndodhi në vitin 1999 dhe më parë. “Konkretisht, gënjeshtra për bombardimet e NATO-s dhe luftën në Kosovë, që nisi në vitin 1998. Fshihet e vërteta se Slobodan Millosheviqi dhe tajfa e tij nacionaliste donin dhe provokuan agresionin e NATO-s, sepse u duhej që me krime ta pastrojnë etnikisht Kosovën nga shqiptarët”, thotë Radovanoviq.

Fundvitin që lamë pas, disi në të njëjtën kohë, në Prishtinë, Beograd e Zagreb, u botua romani “Qeshja nën trekëndëshin e varjes” me autor gazetarin dhe dramaturgun e njohur serb, Rade Radovanoviq. Libri, në fakt është një vepër gjysmë-autobiografike, një dëshmi e fuqishme për një kohë që çoi në shkatërrimin e ish-federatës jugosllave e që arriti kulmin me bombardimin e Serbisë nga ana e NATO-s për shkak të gjithë asaj që regjimi i Slobodan Milosheviqit bëri në Kosovë.

“Qeshja nën trekëndëshin e varjes” është e mbrujtur nga përshkrime e prova materiale që, si të tillë, e bëjnë atë të mos jetë vetëm vepër letrare, të mos jetë vepër dramaturgjike, por edhe njëra, edhe tjetra, të jetë edhe vepër me peshë historike. Në një intervistë ekskluzive për kdpolitik.com, autori Rade Radovanoviq thotë se aktualisht në Serbi mbretëron, sikurse thotë, rrena – rrena zyrtare, shtetërore për atë që ndodhi në vitin 1999 dhe më parë, për luftën në Kosovë dhe bombardimet e NATO-s.

Si lindi romani juaj “Qeshja nën trekëndëshin e varjes?”

Rade Radovanoviq: Gjatë gjithë jetës sime si gazetar kam qenë në kërkim të vlerave sublime të qytetërimit – për drejtësi, solidaritet, dinjitet njerëzor… për të Vërtetën. Dhe, sa më gjatë të kërkoj, aq më shumë bindem se “kam lyer”, se njerëzit nuk e dinë të Vërtetën – qoftë për shkak se nuk i dinë faktet ose thjesht sepse nuk duan ta dinë atë. Prandaj vendosa që të paktën një segment të së Vërtetës, atë të mbështetur në fakte të pamohueshme të së kaluarës sonë të afërt, që nuk kalon, ta paraqes në formën e një romani dokumentar.

“Disa lexues më shkruajnë se “Qeshja…” është një libër për jetën e tyre, ose se kanë qarë gjatë leximit… Disa thonë se libri duhet të jetë lekturë për shkollat ​​e mesme”

Romani juaj u botua pothuajse njëkohësisht në Beograd, Zagreb dhe Prishtinë – në shqip – që për këtë kohë nuk mund të thuhet se është diçka e zakonshme?

Rade Radovanoviq: Për këtë fakt ndihem sidomos krenar. Thjesht, kur mbarova versionin e parë të romanit, ia dërgova Veton Surroit, shkrimtarit dhe luftëtarit për të drejtat e njeriut nga Prishtina. E lexoi, e pëlqeu dhe ia përcolli KOHËS, shtëpisë së njohur mediatike dhe botuese në Kosovë. Botuesja Flaka Surroi e përktheu romanin tim në mënyrë të shkëlqyer dhe e përgatiti për shtyp.

“Qeshja nën trekëmbëshin e varjes”, Rade Radovanoviq, Botimet KOHA, nëntor 2021

Në Serbi, komplot i heshtjes për 1999-n

Në botimin serb, romani juaj ka nëntitullin – “Gjithçka që keni dashur të MOS e dini për luftën në Kosovë”?

Rade Radovanoviq: Po, sepse në Serbi mbretëron rrena – rrena zyrtare, shtetërore! – dhe një komplot i heshtjes për atë që ndodhi në vitin 1999 dhe më parë. Konkretisht, gënjeshtra për bombardimet e NATO-s dhe luftën në Kosovë që nisi në vitin 1998. Fshihet e vërteta se Slobodan Millosheviqi dhe tajfa e tij nacionaliste donin dhe provokuan agresionin e NATO-s, sepse u duhej që me krime ta pastrojnë etnikisht Kosovën nga shqiptarët. Fshihet e vërteta se Serbia e humbi këtë që unë me sarkazëm e quaj luftë ‘Serbo-Botërore’ – për të cilën u firmos në mënyrë të rregullt kapitullimi në dy akte – me Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 12-44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

E patët vështirë të gjeni botuesin në Serbi për këtë vepër tuajën?

Rade Radovanoviq: Sinqerisht, nuk e pata lehtë. Nga disa botues mora përgjigje se romani im është shumë i mirë, por se nuk duhet ta botojnë për shkak të përshkrimit të krimeve mbi shqiptarët në Kosovë, si dhe për shkak të rolit që ka luajtur Aleksandar Vuçiq, atëherë ministër i Informacionit, kurse tash president i Serbisë. Dragan Stojkoviq dhe “Mostart Jugosllavia” e tij nuk u frikësuan as nga presidenti, as nga e vërteta për krimet në Kosovë, kështu që romani im u paraqit në Serbi.

Heronj të vërtetë dhe viktima të regjimit të Milosheviqit

Ju konsideroni se njerëzit në Serbi, dhe jo vetëm në Serbi, nuk e dinë të vërtetën, veçanërisht jo për faktet që lidhen me krimet në Kosovë që çuan në bombardimin nga ana e NATO-s. Pse nuk e dinë?

Rade Radovanoviq: Njerëzit në Serbi, shumica dërmuese e tyre, nuk e kanë idenë se çfarë ndodhi gjatë bombardimeve të NATO-s dhe luftës në Kosovë. Sikurse, tek e fundit, edhe gjatë luftës në Slloveni – ku pjesa më e madhe e saj ishte e kurdisur dhe e falsifikuar – si dhe gjatë luftës në Kroaci, apo gjatë luftës së KONTRAKTUAR në Bosnje dhe Hercegovinë. Disa nuk e dinë sepse nuk kanë pasur mundësi të përballen me faktet, të tjerët për shkak se nuk dëshirojnë të përballen me faktet, është më kollaj të kthesh kokën anash dhe të shtiresh se nuk e shikon as atë që duket ashiqare. Të tretët hiqen sikur nuk e dinë, sepse mendojnë se në këtë mënyrë do të mbulojnë njëherë e përgjithmonë krimet e tyre dhe të të tjerëve, për të cilat vetëm disa kanë dhënë përgjegjësi. Disa nga heronjtë e romanit tim, heronj të vërtetë dhe viktima të regjimit të Milosheviqit, zbulojnë plotësisht disa nga të vërtetat që njerëzit me dinjitet – pavarësisht cilit komb, fe apo ideologjie i përkasin – nuk i dinë e do të duhej t’i dinin.

Ju jeni gazetar ama edhe dramaturg, ndaj edhe romanin e keni konceptuar ashtu që lexuesit t’i krijohet përshtypja se po shikon një film, apo se është në teatër, thjesht është dëshmitar i ndodhive në familjen dhe në shtëpinë tuaj?

Rade Radovanoviq: Në shkrimin e romanit tim dokumentar kam përdorur veprime dhe teknika të ndryshme dramaturgjike, para së gjithash filmike, por edhe psikologjike. Gjykuar nga reagimet, të cilat po shtohen nga dita në ditë, nga të gjitha anët – nga Serbia, nga Kosova, prej ku brenda dite më vijnë disa kërkesa për miqësi në FB… nga Bosnja dhe Hercegovina, nga Kroacia …mund të them se në aspektin dramaturgjik mirë e kam “thurur” “Qeshjen nën trekëndëshin e varjes”.

Cilat janë ato reagime? Çfarë ju thonë dhe çfarë ju shkruajnë lexuesit tuaj në rrjetet sociale?

Rade Radovanoviq: Ajo që është veçanërisht e rëndësishme për mua, dhe për çka nuk kam mundur të jem i vetëdijshëm gjatë shkrimit, është se romani im nxit një shkallë të lartë të empatisë në raport me viktimat, të gjitha viktimat dhe vetvetiu edhe një lloj rishikimi për pjesëmarrje dhe mospjesëmarrje në ndodhitë e asaj kohe. Disa lexues më shkruajnë se “Qeshja…” është një libër për jetën e tyre, ose se kanë qarë gjatë leximit… Disa thonë se libri duhet të jetë lekturë për shkollat ​​e mesme.

“Paqja nuk është gjendje e rregullt”

“Qeshjen nën trekëndëshin e varjes” e mbyllni me debatin mbi temën – kush janë heronjtë dhe kush viktimat e atyre kohërave të luftës – duke theksuar qartë se heronjtë dhe viktimat nuk duhet përzier. Fjalia e fundit në libër është – “Qeshja nën trekëmbësh vazhdon”! Duket si një mesazh goxha pesimist për kohën që po e jetojmë?

Rade Radovanoviq: Mua më duket shumë realiste. Në Serbi edhe sot, madje më shumë se më parë, kriminelët e dënuar dhe të padënuar të luftës veçohen dhe trajtohen si heronj. Regjimi diktatorial nacionalist në pushtet i Aleksandar Vuçiqit këtë po e dikton dhe sforcon, madje merr edhe mbështetje nga Evropa nga ekstremistë të ngjashëm të djathtë sikurse Orban, Jansha, Babish, bile, ja, edhe nga Milanoviq, presidenti kroat. Edhe bota, edhe Evropa, e kaluan me lehtësi faktin se vetëm në Kosovë humbën jetën mbi 13.500 njerëz. Nga ky numër, më shumë se 10.800 janë shqiptarë, rreth 2.200 janë serbë dhe rreth 530 janë njerëz të nacionaliteteve të tjera. Fjalët e mia të fundit në libër janë një lloj paralajmërimi se në Ballkan, edhe po të quhet Perëndimor, edhe i Hapur – paqja nuk është GJENDJE E RREGULLT!

“Në Serbi edhe sot, madje më shumë se më parë, kriminelët e dënuar dhe të padënuar të luftës veçohen dhe trajtohen si heronj. Regjimi diktatorial nacionalist në pushtet i Aleksandar Vuçiqit këtë po e dikton dhe sforcon, madje merr edhe mbështetje nga Evropa nga ekstremistë të ngjashëm të djathtë…”

Kur pritet promovimi i librit në Kosovë?

Rade Radovanoviq: Besoj së shpejti!

Kjo intervistë u botua fillimisht në kdpolitik.com. Botohet me lejen e autorit.