Në emisionin “Open”, kryeministri Edi Rama komentoi pyetjen e 11-të të Këshillimit Kombëtar që ka të bëjë me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është i lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. Ka njerëz që thonë se aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE duhet të ndahet nga ai i Maqedonisë së Veriut, që vendi ynë të vlerësohet për meritat e veta. Të tjerë thonë që duhet të vazhdojmë të presim Maqedoninë e Veriut. Si mendoni ju?”, thuhet në pyetjen drejtuar qytetarëve.
Ndër të tjera, në pyetje shpjegohet se një shtet anëtar i BE-së ka çështje të pazgjidhura dypalëshe me Maqedoninë e Veriut, prandaj bllokon me veto në Këshillin Evropian fillimin e negociatave për anëtarësimin e saj në BE, duke bllokuar edhe Shqipërinë, meqenëse aplikimet për të dyja vendet trajtohen si një dosje e vetme në tryezën e Këshillit Evropian.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se duan opinionin e publikisht në rast se Franca nuk e bind dot Bullgarinë për t’i hapur rrugë fillimit të negociatave. Sipas tij, është e arsyeshme të mendohet që të ndryshohet vijë dhe të trokasin derë më derë për të ndarë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut.
Rama: Në rastin e Ballkanit të Hapur, është një nismë që ka bërë progres në disa aspekte që një pjesë është e rëndësishme. Ka të tjera gjëra që janë përpara dhe në rast se ka kundërshtim popullor, do të hapnim një diskutim me njerëzit. Kjo lidhet me faktin se ky këshillim bëhet në fillim të mandatit të tretë.
Sa i përket ndarjes me Maqedoninë e Veriut, ka shumë në dorë. Kemi pasur mundësinë të shkojmë në çdo derë e në çdo debat me europianët e të themi ç’punë kemi ne që na mbani bllokuar dhe politika që kemi sot që kemi pranuar të mos flasim, të mos pranojmë ndarje dhe të ecim paralelisht për arsye të një vendimmarrje të vendosur paralelisht. Në rast se Franca nuk e bind dot Bullgarinë për të hapur rrugë, është e arsyeshme të mendohet se do të ndryshojmë vijë dhe të trokasim derë më derë për të ndarë Shqipërinë nga Maqedonia. Është tjetër të kesh ndjesinë që në këtë pikë je bashkë me shqiptarët. Kur flasim për Maqedoninë e Veriut, është një popullsi shtet formues atje dhe të jeni të sigurt që Shqipëria është në një pozicion të politikave të jashtshme që nuk e kanë pasur asnjëherë.