Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e marrjes së detyrës së Arjan Dodaj si Arqipeshkvi i Arqidioqezës Tiranë-Durrës, të zhvilluar në Katedralen e Shën Palit në Tiranë.

“Një shqiptar i kthyer në vend. Mesha e fillimit të shërbesës baritore të Imzot Arjan Dodaj”, shprehet Rama.

Arqipeshkvi i Arqidioqezës Tiranë-Durrë, Imzot Arjan Dodaj u zotua ta kryejë denjësisht shërbimin ipeshkvor.

Imzot Dodaj u shugurua meshtar më 11 maj 2003 nga Papa Gjon Pali II, në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe u inkardinua në Dioqezën e Romës, si anëtar i Vëllazërisë meshtarake të Bijve të Kryqit, në bashkësinë “Shtëpia e Marisë”.

Pas shugurimit meshtarak kreu detyra të ndryshme baritore. Nga 2003 deri më 2004 ishte zëvendësfamullitar në Famullinë “Shën Domenico Guzman”, në Romë; nga 2004 deri më 2005, Zëvendës-Rektor i Rektorisë së “San Giovanni della Malva” dhe Kapelan i bashkësisë shqiptare në Romë; nga 2005 deri më 2017, zëvendësfamullitar i Famullisë “Shën Rafaeli Kryeengjëll”, në Romë.

Më 2027, me miratimin e ipeshkvit të vet, Kardinalit-Mëkëmës të Shenjtërisë së Tij për Dioqezin e Romës, u transferua si meshtar fidei donum në Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, ku kreu këto detyra baritore: Mëkëmës i përgjithshëm, Famullitar i famullisë të “Zemrës së Papërlyer të Zojës Mbretëreshë” në Gramëz; Drejtues i baritorisë universitare; Sekretar i dytë i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare dhe sekretar i përgjithshëm i Sinodit dioqezan.