Kryeministri Edi Rama ka komentuar përjashtimet dhe shkarkimet në Partinë Demokratike. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së PS, Rama u pyet nga gazetarët për situatën në selinë blu, ku në vendimet e fundit u përjashtua përgjithmonë nga PD, Sali Berisha dhe disa mbështetës të tij.
Për të qeshur dhe për të qarë e cilësoi kryeministri, ndërsa Bashën dhe Berishën i quan të dy “kufoma politike”. Sipas tij, të dy kanë marrë peng demokratët dhe nuk e lëshojnë njëri-tjetrin.
“Kjo është për të qarë dhe qeshur, por unë nuk mund të qaj gjatë gjithë kohës për gjendjen dramatike të opozitës. Nuk më rezulton që ka pasur anëtarë të kryesisë sot së partisë që kanë synuar të marrin këtë godinë me dhunë dhe nuk më rezulton që ne kemi krijuar fortifikime. Jemi të gjithë bashkë.
Nuk jemi këtu në asnjë proces kacafytje, siç janë të dyja kufomat e PD që kanë marrë peng të gjithë demokratët dhe është një kacafytje që bën asnjëri të mos e lëshojë tjetrin se po ra njëri bie dhe tjetri”, deklaroi Rama.