Rreth 1,913 mjekë dhe dentistë u pezulluan sot nga detyra në Itali pasi kanë refuzuar të vaksinohen kundër koronavirusit, sipas një organi mjekësor italian.

Sipas FNOMCeO, shoqata kombëtare e mjekëve dhe stomatologëve, mjekët nuk kishin paraqitur provat e vaksinimit të tyre.

Raundi i ri i pezullimeve vjen pas pezullimit të 1656 mjekëve në muajin nëntor. Mjekëve u është kërkuar të bëjnë vaksinën kundër koronavirusit që kur ligji i ri hyri në fuqi në muajin prill.

Të dhënat kanë treguar se mbi 33,500 mjekë nuk janë vaksinuar plotësisht në Itali. Mes tyre përfshihen edhe ata që janë duke u shëruar nga Covid-19 dhe presin të bëjnë vaksinën, të tjerë janë vaksinuar jashtë Italisë dhe që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore.

Rreth 6,000 infermierë dhe punonjës të përkujdesjes janë pezulluar gjithashtu për shkak të mungesës së vaksinimit. Aktualisht, një numër i ngjashëm i personelit mjekësor nuk ka qenë në gjendje për të punuar për shkak të infeksionit ose për shkak të qëndrimit në karantinë.

Autoritetet regjistruan mesatarisht 2,011 infeksione me koronavirus për 100,000 banorë në mbarë vendin në shtatë ditët e fundit, njoftoi sot Instituti Suprem i Shëndetësisë (ISS), duke cituar të dhëna nga një ditë më parë.

Javën e kaluar, incidenca shtatë-ditore ishte 1,988. Sipas ekspertëve, vlera po stabilizohet disi. Gjithashtu u raportuan rreth 179,000 raste me Covid-19, krahasuar me 189,000 të një dite më parë.