Prefekti i qarkut Kukës, Zenel Kuçana tha sot për ATSH se pavarësisht reshjeve të dëborës dhe uljes së temperaturave, rrugët nacionale janë të kalueshme normalisht.
Në një prononcim për ATSH, Kuçana bëri prezente situatën në qarkun Kukës ku thekson se pavarësisht temperaturave të ulëta, situata është normale.
“Situata e motit është e qetë, por e shoqëruar me erë dhe temperatura të ulëta në gjithë territorin e Qarkut Kukës. Nga informacionet e marra nga terreni rezulton se rrugët nacionale janë të kalueshme normalisht”, tha Kuçana.
Kuçana thekson se, vazhdon puna për pastrimin e borës në të gjitha akset rrugore.
“Nga kontraktorët, vazhdon të punohet gjatë gjithë kohës për pastrimin e borës në disa segmente rruge ku mbartet nga era, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre. Rrugët rurale në administrim të bashkive janë të kalueshme, përveç rrugës që lidh Njësinë Administrative Arrën me rrugën nacionale bashkia Kukës. Edhe nga punonjësit e bashkive në këtë qark po punohet për pastrimin dhe kriposjen e tyre”, shprehet Kuçana.
Në lidhje me situatë e furnizimit me energji, Kuçana u shpreh se furnizimi me energji është normal në shkallë qarku, përveç ka disa problemeve në fshatrat Nimçe, Oreshk dhe Cernalevë.
“Gjendja e rezervuarëve është nën monitorim në të gjithë qarkun. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal në shkallë qarku. Deri në këto momente nuk kemi të raportuar ndonjë problematikë emergjente”, shprehet Kuçana për ATSH.