Amfiteatri i Durrësit, i ndërtuar në fund të shek 1 pas Krishtit dhe i zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi, po tërheq gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh sot se “falë projektit të rijetësimit do të dalë në dritë me gjithë madhështinë e tij mijëravjeçare, Amfiteatri i Durrësit”.
Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj.
Në shek. 5 pas Krishtit u ndaluan ndeshjet e gladiatorëve dhe amfiteatri nisi të braktisej. Në mjediset e tij u ndërtuan një kapelë (kishëz) bizantine. Në muret e kapelës ndodhen disa afreske dhe mozaikë.
Boshti i madh i amfiteatrit është 127 metra, ndërsa boshti i vogël 103 metra. Përmasat e arenës me formë ovale janë përkatësisht 63 dhe 39 metra.
Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive.
Në fund të viteve ’90 forcat e KFOR-it punuan për hapjen e arenës nga dherat. Arkeologët italianë të Universitetit “La Sapienza” të Romës dhe të Universitetit të Chieti – Pescarës, me ndihmën e aparaturave dhe teknologjive moderne kanë konstatuar se në arenë ka ndërtime ende të pazbuluara.
Nga të dhënat e deritanishme mendohet se amfiteatri mirëpriste mbi 15 mijë spektatorë njëherësh. Amfiteatri i Durrësit ka përmasa mesatare mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.