Në Kavajë ka përfunduar blloku i dytë të banesave të reja, të ndërtuara për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Kryeministri Edi Rama përcolli këtë mëngjes pamje nga ky bllok i dytë i banesave në Kavajë.
“Mirëmëngjes me bllokun e dytë të banesave të reja në Kavajë, për të mos lënë vetëm as edhe një familje të prekur nga tërmeti, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Programi i Rindërtimit përfshin një prej paketave më unike të investimeve në infrastrukturë, që do të vijojë me intensitet edhe gjatë vitit 2022, deri në strehimin e familjes së fundit që humbi shtëpinë nga tërmeti.
Qindra familje kanë përfituar deri tani shtëpi të re falas, ndërkohë që investimet janë shtrirë në rindërtimin e shkollave, kopshteve dhe infrastrukturës urbane të lagjeve të tëra të rindërtuara nga e para.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar Kryeministri Rama i dorëzoi çelësat e 153 banesave në pallatet e reja familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.