Një lajm i publikuar sot në media zbuloi sesi Armando Duka po angazhonte njerëzit e tij të ardhur nga Tirana, për të ndërhyrë në procesin zgjedhor të Shoqatës Rajonale të Futbollit në Gjirokastër, për të kryer një farsë zgjedhore.
Një video tregonte sesi Duka kishte sjellë në Gjirokastër njerëzit e tij me kapuçë të zinj, me mjetet e një kompanie private sigurimi, të quajtur “BBS Security”.
Nga një verifikim i thjeshtë në QKR, pronarë të “BBS Security”, janë shtetasit Naim Dani dhe Kujtim Llupa, njëri prej të cilëve është i përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në vitin 2012. Naim Dani dyshohet se ka vrarë me dashje, gjatë gjuetisë, kushëririn e tij 23-vjeçar, Bedri Dani, në një mal pranë Zall-Herrit.
Ndërkohë, pronari tjetër i “BBS Security”, Kujtim Llupa, rezulton ish-pronar i një kompanie bastesh.