Shqipëria dhe Kosova janë angazhuar për forcimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetit publik, me synim rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor në të dy anët e kufirit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot pamje nga vizita në QSUT e Ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, dr. Rifat Latifi.
Dy homologët vlerësuan se forcimi i shkëmbimit digjital do të maksimalizojë burimet dhe do të rrisë cilësinë e shërbimit mjekësor për qytetarët.
“Shumë punë të mira do të çojmë përpara me Ministrin e Shëndetësisë së Kosovës, në shërbim të qytetarëve nga të dy anët e kufirit, duke përdorur teknologjinë digjitale për t’i sjellë shërbimet më afër dhe në kohë reale, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit”, tha Manastirliu.
Manastirliu dhe homologu kosovar, prof. Rifat Latifi, vizituan Pediatrinë e re dhe Qendrën e Telemjekësisë në QSUT.
Shqipëria dhe Kosova janë angazhuar edhe për shkëmbimin e stafeve mjekësore dhe trajtimit të sëmundshmërisë, me synim rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor në të dy anët e kufirit.