Nga Laçi, ku Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdohan po merr pjesë në ceremoninë e dorëzimit të banesave të rindërtuara pas tërmetit të vitit 2019, Kryeministri Rama, ka kujtuar edhe takimin e parë me presidentin, në kohën kur ai ishte Kryeministër i Turqisë.

“Sot dua të tregoj një episod nga takimi im i parë fare me Presidentin, i cili asokohe ishte kryeministër i Turqisë. Unë isha i ndrojtur sepse e njihja vetëm nga larg, nga televizori dhe ju e dini nga televiziori nuk duket edhe aq i buzëqeshur. Me thënë të drejtën edhe kur u takuam dhe ishim ulur ballë për ballë, më shikonte dhe nuk buzëqeshte. Unë akoma nuk isha bërë kryeministër dhe më thotë: dëgjo këtu tha, Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën time. Shqiptarët janë në zemrën e popullit tuk. Unë tha, dëshiroj që ti të jesh vëllai im, por unë do të të them vëlla atëhere kur ti si kryeministër i vendit tënd të meritosh respektin e popullit tënd”, tha Rama.

Duke u ndalur te marrëdhënia me presidentin turk, Rama tha se “ka shumë teori konspiracioni, jo xhami, jo Turqia otomane, jo aspiratat e presidentit, etj”. Por përgjigja e Ramës ndaj këtyre teorive ishte shumë e thjeshtë.
“Presidenti thotë atë që bën dhe bën atë që thotë”, tha Rama duke falenderuar Presidentin turk për ndihmën në rindërtimin e banesave të reja në Laç.