Shqipëria ka firmosur një marrëveshje me kompaninë amerikane “Jones International”, për forcimin e sigurisë së sistemeve digjitale.
Kjo kompani drejtohet nga James Logan Jones Jr, një ish-Gjeneral i Marinës së SHBA dhe ish-këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare.
Gjatë fjalës së tij, Jones tha se ndihet i nderuar që do të ndihmojë Shqipërinë në luftën kibernetike dhe e cilësoi vendin tonë si një shtet mik të SHBA. Ai tha se me ndihmën që do të ofrojnë, do t’i sigurojnë shqiptarëve vende pune dhe begati.
“Të nderuar ministra të pranishëm, është një nder i madh që gjendem këtu sot për të marrë pjesë në një akt zyrtar që do të bëjë shumë gjëra. Do të punojmë me Shqipërinë për ta bërë më të sigurt në sigurinë kibernetike. Ka rreziqe të qarta dhe të dukshme. Përgëzoj kryeministrin për vizionin për ta shndërruar vendin e tij në pozitë të sigurt. Po kështu mendoj që është një shprehje e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA dhe Shqipërisë që kanë qenë gjithmonë të forta.
Si një ish-ushtarak kam pasur privilegjin të vizitoj Shqipërinë në cilësinë e drejtuesit të aleancës Supreme dhe kam dëshmuar momentin kur Shqipëria u bë pjesë e NATO-s. Puna që do të bëjmë do të jetë një shembull, për të parë se çfarë do të bëhet në fushën e sigurisë kibernetike. Suksesi që do të arrijmë do të jetë jo vetëm transformues, por do të sjellë vende pune dhe begati për Shqipërinë. Shqiptarët duhet të jenë përgjegjës për sigurinë e tyre. Presim me pa durim që të punojmë në përputhje me përparësitë tuaja për ta çliruar Shqipërinë nga shqetësimi i sulmeve kibernetike”, tha Jones.