Spanja dërgoi një nga anijet e saj luftarake më herët se sa pritej për t’iu bashkuar një misioni të NATO-s në Detin e Zi, pasi tensionet mbeten të larta midis Rusisë dhe Ukrainës.
”Dislokimi i fregatës detare ‘Blas de Lezo’ do të bëhet për tri ose katër ditë”, deklaroi ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles.
Anija patrulluese spanjolle ”Meteoro” tashmë është nisur drejt Detit të Zi.
Deklarata e Robles erdhi pasi ministrja u pyet mbi konfliktin në Ukrainë dhe qëllimin e Kievit për t’u bashkuar me NATO-n.
Rusia ka kërkuar garanci se NATO nuk duhet të zgjerohet më drejt Lindjes dhe nuk duhet të pranojë Ukrainën në aleancë.
Ndërkohë, prania e 100 000 ushtarëve rusë pranë kufijve të Ukrainës rrit frikën për një pushtim të afërt.
”Pozicioni i NATO-s është i qartë. Rusia nuk duhet t’i tregojë asnjë vendi se çfarë të bëjë. NATO do të mbrojë sovranitetin e çdo vendi që dëshiron të bashkohet me të”, theksoi Robles duke shtuar se ”Spanja është një partner serioz” i NATO-s”.