Interi mund të marrë një goditje të rëndë nga UEFA para duelit me Liverpulin, ku do të ketë eliminim direkt në Ligën e Kampioneve.
Një nga supersfidat e fazës me eliminim direkt në Ligën e Kampioneve është padyshim ajo me Liverpuli. Mësohet se dueli i parë, ai i cili është planifikuar të luhet më 16 shkurt në Milano, mund të zhvendoset jashtë Italisë. Në këtë vend pritet të hyjë në fuqi ligji i vaksinimit të detyrueshëm të sportistëve profesionistë. Një ligj i cili bie ndesh me rregulloret e UEFA-s, e cila nuk e sheh vaksinimin anti-COVID si të detyrueshëm.
Kështu, në rast se kjo gjë ndalon lojtarë të Liverpulit që të udhëtojnë drejt Italisë, sipas mediave angleze, UEFA do të ndërhyjë dhe të zhvillojë ndeshjen në një fushë neutrale, duke i hequr Interit praktikisht avantazhin e fushës. Zikaltërit po punojnë që të sigurojnë një leje speciale për Liverpulin gjatë vizitës, por për momentin, nuk kanë sigurinë se do të luajnë në shtëpi ndeshjen e parë kundër anglezëve.