Nga Ylli Pata/ Kryetari i Partisë Demokratike të Shkodrës, Xhevdet Amuli, ka folur në një intervistë për televizionin lokal Star Plus, e cila ka qenë mjaft interesante, por që nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga opinion publik qendror.
Së pari, qëndrimi i Amulit ishte i rëndësishëm për situatën e përplasjes Basha-Berisha, pasi kreu i PD-së Shkodër përfaqëson brezin e parë të politikanëve të kësaj partie, që në themelimin e saj.
Me një autoritet të njohur në rrethin e themeluesve dhe të djathtës në qarkun verior, Amuli është zgjedhur kryetar i PD-së së Shkodrës, dy vjet më parë, pas një periudhe të gjatë përplasjesh mes klaneve e grupimeve të ndryshme që përbënin degën e Shkodrës.
Zgjedhja e Amulit, erdhi si një kompromis mes palëve që janë në konflikt prej kohësh, e kanë sjellë edhe dorëheqje të rëndësishme, si nga partia, e nga bashkia e Shkodrës, e cila që nga viti 2019, është i vetmi segment pushteti që zotëron Partia Demokratike në shkallë vendi.
Kryetari i PD-së së Shkodrës tha dy gjëra të rëndësishme në intervistën e shkurtër për televizionin lokal. Së pari gozhdoi Sali Berishën, duke dhënë një qëndrim të fortë politik, ku madje e bën ish-kreun e PD-së më të zi edhe se komunizmi. E ky qëndrim, i thënë nga një person që përfaqëson brezin e parë të PD-së, është padyshim i rëndësishëm, duke i dhënë një goditje të fortë berishizmit.
“Nuk do të dëshiroja askujt një 97 tjetër. Ai vit ka qenë shkatërrimi i Shqipërisë, e në atë periudhë kohë faktikisht President ka qenë Sali Berisha. Ka qenë njeriu më i pushtetshëm i vendit, por ama bëri dëmin më të madh për Shqipërinë.
Unë e kam shpreh gjithmonë e dua ta përsëris se Shqipëria më shumë se ja ka pa sherrin vitit 1997, piramidave, nuk ja ka pa as monizmit”, deklaroi Amuli.
Ndërkaq, po kaq e fortë ka qenë deklarata e dytë, e cila ka lidhje me lëvizjen e Berishës me foltoren, por edhe me njerëzit e tij që e mbështesin në strukturat e PD-së së Shkodrës.
E këta janë kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, si dhe ish-deputeti i qarkut, Bardh Spahia, i cili është mjaft i afërt me Berishën, edhe me pjesëmarrjen e familjarëve të tij në strukturat e tjera.
Xhevdet Amuli, thekson se: “Ka tre vite, që kur jam unë këtu në krye të PD që zonja Ademi ka filluar të ngrejë struktura paralele. Duket paska qenë largpamëse e kësaj pune, ajo së bashku me zotin Bardh Spahia, pra e ka zgjedhur rrugën e vet pa dalë foltorja. Ata të dy kanë qenë personat më të kontestuar nga strukturat e PD-së së Shkodrës”. Kjo deklaratë, tregon se aksioni politik i Sali Berishës, po përgatitej në prapaskenë prej kohësh. E nëse i rikthehemi një deklarate të Edi Ramës në vitin 2019 në Parlament, në fillim të atij viti, ku i bën të ditur se Berishës i kanë hequr vizën për në SHBA, gjërat marrin një kuptim real.
Marrin një kuptim, pasi duhet se ka pasur lëvizje që atëherë për një Plan B nëse Lulzim Basha do të niste që atë herë distancimin nga Berisha. E këtu, çështja ka edhe një horizont tjetër, që është Ilir Meta, i cili ka mbajtur një marrëdhënie të fortë me Voltana Ademin.
Të cilën madje e përdori për padinë në Kushtetuese, që të shpëtonte dekretin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Ndërkaq, “populli i 2 marsit” që flet Ilir Meta shpesh, është një grumbullim që kanë ardhur pikërisht nga këto strutkura të PD-së. Nga Shkodra për shembull, ka pasur një sasi të konsiderueshme, siç ka pasur edhe nga Kamza, Paskuqani, e disa degë të Tiranës, ku sot Berisha ka një influencë më të madhe, që po i përdor kundër Lulzim Bashës.
Janë këto degë, nga të cilat në zgjedhjet e 25 qershorit 2017 pati një numër të konsiderushëm votash për LSI-në, e nga ku partia e Metës synonte të arrinte sërish një sukses.
Madje drejtuesit e LSI-së për kryeqytetin flisnin për 6 mandate që do të fitonin në Tiranë, 2 më shumë se 2017, ku syrin e kishin pikërisht tek këto zona ku Ilir Meta bëntë takime të shpeshta në lokale dasmash me këngë, valle e ahengje të ndryshme.
Por siç ndodhi, ato vota opozitare i mori Partia Demokratike thuajse totalisht, e kjo ishte realisht drama për Metën, por siç duket edhe për Berishën. Ndaj në këtë rast do të duhet të flitet më shumë për këto struktura paralele që flet kreu i PD-së së Shkodrës. Natyrisht këto do të duhet t’i thotë Lulzim Basha.