Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës informoi sot për situatën e qarkullimit në vend, për shkak të motit me temperatura të ulëta dhe reshje dëbore.

Sipas ministrisë, nuk ka pasur probleme me qarkullimin në akset rrugore.

“Moti i kthjellët me temperaturat në zonën perëndimore 8 gradë, në zonën jugore 10, ndërsa në zonën verilindore është regjistruar temperaturë 0 gradë dhe në zonën juglindore -3 gradë”, theksoi ministria.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron lidhur me furnizimin me ujë se, “në bashkinë Kurbin është dëmtuar një numër i konsiderueshëm ujëmatësash, grupet e emergjencës kanë bërë të mundur të rikthehet furnizimi me ujë duke bërë bypass tek matësi. Në bashkinë Cërrik gjithashtu janë evidentuar ujëmatësa të dëmtuar pas çdo defekti është rikthyer në normalitet. Në rrethet e tjera furnizimi me ujë është normal”.

Ndërkohë, në portet dhe aeroportet nuk ka pasur asnjë problem.

“Rezerva energjetike e kaskadës është 583.70 GWh, niveli në HEC-in e Fierzës është 273.61 mmnd, prurjet në Fierzë janë 140 m3/s. 27 defekte në nivel TM dhe TU si dhe një avari në Nst Kuç të Vlorës si pasojë e rritjes së ngarkesës dhe motit të keq. Iu dha zgjidhje 20 defekteve në rang vendi duke rikthyer energjisë elektrike në 58 zona, si fshatra dhe njësi administrative, ose 8 mijë abonentëve. Aktualisht janë 7 defekte: 2 në Tiranë, 1 në Fushë-Krujë, nga 1 defekt që prek 6 fshatra të Bilishtit, Gjirokastër dhe Gramshit, si dhe 1 në fshat në Fier”, njoftoi MIE.