Ambasada Amerikane në Tiranë publikon sot një mesazh të fortë të Nën Sekretares së Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland.
Në një postim në “Facebook”, ambasada e SHBA citon zyrtaren e lartë amerikane, e cila thekson se “Përparimi i vërtetë mund të ndodhë vetëm në një atmosferë të qetë, jo të përshkallëzuar”.
Ky mesazh, i publikuar sot nga ambasada amerikane, duket si një mesazh “i koduar” për politikën shqiptare, dhe përkatësisht situatën në Partinë Demokratike, ku ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi protestën e dhunshme te selia blu më 8 janar.
Ndërkohë, Berisha ka paralajmëruar se do të përshkallëzojë aksionin e tij, deri në marrjen e Partisë Demokratike.