Me shtimin e konfigurimit të ushtrisë ruse rreth Ukrainës dhe qëndrimin gjithnjë e më agresiv nga Kremlini, shanset që të paktën një nga ushtritë më të fuqishme në botë të përdorë fuqinë e saj në një konflikt të ri të madh duket se janë në maksimumin e tyre. Kjo është arsyeja që Departamenti i Shtetit urdhëron familjet e stafit të Ambasadës së SHBA të largohen menjëherë nga vendi. Përpjekjet diplomatike deri më tani kanë dështuar dhe tani mbetet për t’u parë se si do të veprojë Rusia.

Presidenti amerikan Joe Biden do të diskutojë gjatë fundjavës me këshilltarët e sigurisë kombëtare për hapat e ardhshëm lidhur me krizën mbi Ukrainën, ndërsa një takim mes Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov përfundoi pa marrëveshje. Kjo çështje vazhdon të jetë një nga më shqetësueset për Uashingtonin.

Presidenti Biden ka shkuar në Camp David, një vendpushim presidencial në shtetin e Merilendit ku do të kalojë fundjavën duke diskutuar me këshilltarët e sigurisë kombëtare, për të përcaktuar hapat e ardhshëm për krizën mbi Ukrainën.

Sekretarja e shtypit, Jen Psaki tha se Presidenti Joe Biden do të takohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar se “cilat do të jenë hapat e ardhshëm të duhur”.