Vendimi për të vendosur në Shqipëri një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale amerikane është një zhvillim me rëndësi nëse marrim në konsideratë zhvillimet në rajon. Por çfarë është Forca e Operacioneve Speciale, e ushtrisë amerikane, prezenca e të cilëve së shpejti do të jetë në Shqipëri?

Janë trupat elitë të ushtrisë amerikanë të cilat janë pararojë e çdo ndërhyrje ushtarake të mundshme. Aftësitë e tyre taktike në terren janë nga toka, ajri dhe deti. Nga fotot zyrtare të kësaj force speciale publikuar në Instagram shikohet përfshirja e tyre në trajnimin e ushtarakëve në Afganistan madje edhe Bosnjë. Krijimi i shtabit të të Komandës së Operacioneve Speciale që do të vendoset në Shqipëri do të shërbejë si një pikë qendrore për ndërveprimin e forcave speciale të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo do të rrisë profilin e Shqipërisë dhe të Forcave Speciale të saj në rajon si dhe do të zgjerojë njohuritë dhe nivelin e ekspertizës së Forcave Speciale Shqiptare. Vendndodhja e selisë të këtij shtabi në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe e qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik. Është zgjedhur Shqipëria pasi vendndodhja gjeografike e vendit tonë redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon. Nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë, Forcat e Operacioneve Speciale të SHBA-së sigurojnë një lidhje të rëndësishme midis aleatëve dhe partnerëve tanë në rajon, duke rritur kështu stabilitetin rajonal.