Në vijim të përgatitjes së programit për titullin “Tirana, Kryeqyteti Evropian të Rinisë”, kryebashkiaku Erion Veliaj, pas takimit me dekanët dhe rektorët e universiteteve publike, zhvilloi edhe një bisedë me rektorët e universiteteve private. Me ta Veliaj diskutoi për reformën e thellë që është bërë në universitete.
“Me sa duket, destini i këtij vendi është që çdo javë të ketë nga një debat: një javë patëm çështjen e betoniereve, javën tjetër rindërtimin te “5 Maji” dhe nevojën e qytetit për t’u urbanizuar, pastaj për të ndërtuar Unazën e Madhe, e cila sjell zhvillim cilësor në zona si Bregu i Lumit, që njihen si periferi. Sot kemi një debat tjetër, për një reformë në sport. Përpara disa vitesh ishte tabu të filloje një betejë me “Kristalet” dhe “Vitrinat”, por ja ku jemi sot. Atëherë mendohej se këta ishin të paprekshëm”, tha Veliaj.
Ai shtoi se nuk ka të paprekshëm, duke sjellë shembullin e universiteteve private të cilat janë vërtet të pavarura, por duhet të raportojnë diku.
“Universitetet janë të pavarura, por nuk janë të paprekshme. Kanë një bord, auditohen, japin llogari, kanë një komision që vjen nga Ministria e Arsimit dhe i vlerëson. Kurse universitetet që prodhonin diploma me shaptilografë nuk ekzistojnë më. Të tjerët, që janë qendra të ekselencës, inkurajohen të vazhdojnë më tej, të pavarur patjetër, dhe jo të paprekshëm”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku tha se beteja me FSHF-në është një sfidë për brezin e ri të sportistëve, që duan të ndjekin ëndrrat e tyre me meritë.
“Beteja ku jam përfshirë si aksioner i Sport Klub Tiranës, por edhe si kryetar i Bashkisë së Tiranës, si financuese e shumë terreneve sportive, bëhet mbi këtë bazë: Nëse do të ishte çështje investimesh, mund të bëhet prapë sepse një pemë që nuk mbin, e mbjell prapë, një pllakë që nuk zë, punë e madhe e ndërron prapë. Por, te sporti dhe arsimi bëhet fjalë për jetë njerëzish: Një student nuk i thua dot se ‘dolëm huq! A vjen ta bësh edhe një herë Bachelorin?’. Si ajo shprehja në anglisht: ‘Ke vetëm një shans’ që t’ia qëllosh me një student, me një fëmijë, me një sportist. Ndaj, besoj se kjo sfidë që kemi është për ato punë që mund të bëhen vetëm njëherë, në dallim nga një punë tjetër që mund të rregullohet. Një brezi sportistësh apo studentësh nuk i thua dot ‘më vjen shumë keq, por brezi juaj u dogj për abuzime dhe tahmanë e dikujt, se donte të shtypte diploma për të fituar ca para’. Këtë brez nuk e kthen dot më! Kush u dogj me ‘Kristal’ e me ‘Vitrina’ iku, çështja është të reflektojmë dhe ta bëjmë më mirë”, u shpreh Veliaj.