Ish-shefi i misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, ambasadori William Walker ka kujtuar viktimat e Reçakut 23 vjet më parë, duke thënë se çdo vit nga 1999, është rritur rëndësia për atë çfarë ka ndodhur në Reçak.

Në një video-mesazh në akademinë kushtuar masakrës në Reçak, Walker ka thënë se ai nuk do të harrojë kurrë atë që ndodhi 23 vjet më parë.

Në 23-vjetorin e masakrës në Reçak, tre liderët e shtetit kanë deklaruar se masakra ne këtë fshat është data vendimtare për historinë e Kosovës.

“Çdo vit nga 1999, është rritur rëndësia për atë që ka ndodhur në Reçak. Reçaku zë vend shumë të veçantë në zemrën time. Gjatë viteve të fundit, çdo vit ceremoninë e 15 janarit është ndjekur me vëmendje së pari nga njerëzit nga Kosova dhe në fund nga e gjithë bota. Kjo është ajo që kam shpresuar. Ajo në të kaluarën është përkujtuar nga njerëz nga Kosova, por jo edhe nga ambasadat, por kjo tani ka ndryshuar. Kurrë nuk do ta harroj se sa herë jam kthyer gjatë këtyre 22 vjetëve kam parë rimëkëmbjen e këtij vendi. Reçaku nuk ka ndryshuar jashtëzakonisht nga ajo që kam parë. Unë nuk do të harroj kurrë se çfarë do të thotë Reçaku”, tha Walker.

Ndërsa, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se 23 vjet më parë, bota u tmerrua dhe kuptoi përfundimisht nga pamjet për krimin që po ndodh në Kosovë.

“Civilëve duarthatë iu shua jeta nga krimi gjenocidial nga Sllobodan Millosheviç. Kodra e Bebushit ishte pasqyrim ndaj shqiptarëve dhe qëllimit shfarosës të Sllobodan Millosheviçit. Tendencat për ta mohuar masakrën në Reçak janë përpjekje e qartë për rehabilitimin e atyre që kanë kryer krimin. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit dhe shpërfaqja për të zhdukur shqiptarët nga faqja e dheut. Mohimi është përsëritje e krimit. Propaganduesit duhet të ndjejnë keqardhje dhe të kërkojnë falje”, tha ajo.

Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti tha se më 15 janar 1999, jehona e këtij krimi mbërriti në çdo cep të botës.

“Fushata e vrasjeve masive sikurse në Reçak kishin ndodhur dhe vazhdonin të ndodhin në çdo komunë të Kosovës. Kjo histori nuk mund të harrohet e as të rishkruhet. Vrasja e qëllimshme nga forcat e armatosura të shtetit të Serbisë, ishte forma më e shpeshtë sipas mënyrës së ekzekutimit”, tha ai.

Sipas Kurtit, Reçaku është një datë vendimtare në historinë e Kosovës.

“Mohimi i gjenocidit është faza e fundit e gjenocidit. Mohimi vret dinjitetin e të mbijetuarve dhe kërkon të shkatërrojë kujtimin e krimit. Ne jemi kundër hakmarrjes dhe refuzojmë të harrojmë”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së Jeffrey Hovenier tha se mohimi i kësaj masakre nga Serbia synon të shkatërrojë kujtimin e popullit shqiptar.

“E mbaj mend krejt shumë mirë si zyrtar i misionit të SHBA-së, kisha një lidhje me Walker. E në përgjigje të këtyre mizorive, SHBA veproi për të mbrojtur këta civilë të pambrojtur. Të gjithë popujt meritojnë dinjitetin për të jetuar për liri. Ky është një akt vrasës i qëllimshëm që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës”, ka thënë ai.

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha se si 15-vjeçar kujton atë që kishte ndodhur 23 vjet më parë.

“Askush nuk u gjykua për këtë masakër, ende nuk u vendos kurrfarë drejtësie për ta. Masakra në Reçak zë një vend specifik, përmes ambasadorit William Walker, bota e kuptoi që Serbia po kryen krime kundër njerëzimit në Kosovë. Masakra në Reçakut ishte ajo që ndërgjegjësoi ndërkombëtarët se çfarë po ndodhte në Kosovë”, ka thënë ai.