/ Në kuadër të përgatitjeve të procesit të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në seancën e sotme publike vendosi të caktojë masën e shpërblimit për anëtarët e komisioneve zgjedhore, të miratojë materialet zgjedhore që do të përdoren, dhe modelet e dokumentacionit të punës që do të përdorin KZAZ-të.
Komisioneri caktoi njësitë administrative ku do të krijohen selitë e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, emëroi anëtarët dhe sekretarët e KZAZ-ve, të propozuar nga Partia Demokratike, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Miratoi disa shtesa në udhëzimin nr.14, datë 9.6.2021, të KShZ, “Për caktimin e kritereve, procedurat për përzgjedhjen dhe emërimin e ekspertëve kontabël të licensuar (audituesve ligjorë) dhe kushtet kontraktuale për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik dhe subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre në fushatën zgjedhore”.
Gjithashtu, KShZ vendosi plotësimin e vakancave të krijuara në këshillat bashkiakë si më poshtë vijon: këshilli i bashkisë Dibër, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Besmir Fatmir Markeçi; këshilli i bashkisë Tiranë, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Ramazan Halit Buci; këshilli i bashkisë Dropull, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Demokracia Sociale, Orest Filip Malo; këshilli i bashkisë Lezhë, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Uniteti Kombëtar, Armanda Hil Ndoka; këshilli i bashkisë Fier, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Flavjo Lelo Gjonaj; këshilli i bashkisë Mat, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë së Reformave Demokratike të Shqipërisë, Arendina Qemal Gasa.